Shqiptarët votojnë më pak se vendet fqinje

Shqiptarët votojnë më pak se vendet fqinje

Që pas vitit 2013 në Shqipëri numri i qytetarëve që shkojnë drejt qendrave të votimit sa vjen edhe ulet. Një lajm i mirë për partitë politike që ruajnë ende votat e tyre dhe pushtetin me përllogaritje e lista emrash, e një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri. Në vitin 1992, në Shqipëri dolën në votime 70% e qytetarëve me të drejtë vote, duke hequr nga pushteti Partinë Komuniste. Një pjesëmarrje që ka mbetur në kujtime dhe një statistikë, pasi prej asaj kohe shqiptarët kanë qenë pak të interesuar për të zgjedhur të parin e qeverisë apo të parin e bashkisë.

Në zgjedhjet lokale të 14 majit, morën pjesë afro 38%, ose thuajse 1 në 3 shqiptar doli për të votuar. Shumica, e cila kishte në dorë një mundësi për të përmbysur çdo pushtet, nuk shkoi në votime, duke e lënë rrugën e lirë. Partitë politike edhe këtë herë mobilizuan militantët, administratën dhe pensionistët për të votuar. Me votat e tyre ato siguruan sërish pushtet, teksa shqiptarët e ndershëm rrefuzuan të votojnë duke pranuar që pushtetin t’ua caktojnë të tjerët.

Numri i të rinjve në votime po ashtu është shumë i ulët. Në këto zgjedhje ishin 122 mijë e 850 votuesë për herë të parë, por vetëm 15 mijë prej tyre shkuan të votojnë. Edhe në zgjedhjet e kaluara pjesëmarrja e të rinjve në votime ka qenë e ulët, duke ua lënë gjyshërve, prindërve dhe militantëve të vendosin se kush do t’i drejtojë për 4 vjet.

E njejta situatë nuk ndodh në Rajon, ku pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është shumë e lartë. Për të rrëzuar nga froni i pushtetit Milo Gjukanoviçin, 70% e malazezëve shkuan në votime duke i besuar politikanit të ri, Jakov Milatoviç. Një pjesëmarrje që dha rezultat duke hequr nga pushteti një politikan kalibri që kishte mbërthyer çdo hallkë qeverisëse e drejtuese.

Në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja në votime po ashtu ka qenë në shifrat e mbi 50%. Kosova po ashtu ka dhënë një shembull demokracie duke hequr nga froni të gjithë klasën e vejtër politikane me pjesëmarrje mbi 50% në votime. Në këto vende të Rajonit, pa u krahasuar me vendet europiane dhe botërore, sovrani flet dhe cakton ai se çfarë do të bëhet dhe si do të bëhet për drejtimin e tyre. Në Itali, Meloni erdhi në pushtet pasi 52% e qytetaëve morën pjesë në zgjedhje, duke larguar politikanët e vjetër.

Mirëpo në Shqipëri, të rinjtë dhe shqiptarët e ndershëm, duket se nuk e kuptojnë peshën e votës. Historia ka treguar se çdo pushtet është rrëzuar duke votuar, pa dhunë, pa protesta e demostrata por vetëm me votë. Ashtu siç u rrëzua nga pushteti komunizmi, mund të rrëzohet çdo pushtet i instaluar në Shqipëri prej tre dekadash. Mjafton që sovrani të shprehet me votë dhe vullneti i tij mos të qendrojë jashtë kutive të votimit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit