Një 19-vjeçar shqiptar është arratisur nga një qendër paraburgimi për emigrantë në Britani të Madhe, ka konfirmuar Ministria e Brendshme britanike. Sipas raportimeve, ai u arratis më 14 korrik gjatë një transferimi drejt spitalit nga qendra e paraburgimit “Campsfield” në Oxfordshire.
Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se i riu nuk konsiderohet rrezik për publikun, ndërsa ekipet e hetimeve dhe inteligjencës së Home Office kanë nisur kërkimet për lokalizimin dhe ndalimin e tij. Ministria e Brendshme deklaroi se po ndiqen procedurat për kapjen e personit të arratisur.
Rasti vjen në një kohë kur shtetasit shqiptarë mbeten ndër grupet më të shpeshta mes personave të larguar me forcë nga Britania e Madhe. Sipas të dhënave të Home Office, shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të dëbimeve, pas marrëveshjes së bashkëpunimit mes Britanisë dhe Shqipërisë për emigracionin.