Shqiptari dënohet me 4 vite burg në Belgjikë, shpallet fajtor për 36 vjedhje me thyerje

Shqiptari dënohet me 4 vite burg në…

Një shtetas shqiptar 31-vjeçar është dënuar me katër vite burg efektiv nga një gjykatë në Belgjikë, pasi u shpall fajtor për 36 raste vjedhjesh me thyerje dhe tentativa vjedhjeje. Sipas autoriteteve belge, shqiptari, i identifikuar si Emiljan V., dyshohet se ka vepruar së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar, duke goditur banesa në disa zona të provincës së Antverpit, përfshirë qytetet Lille, Beerse dhe Vosselaar.

Sipas mediave belge, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2025 janë regjistruar dhjetëra grabitje në banesa në zona të ndryshme të vendit, ku autorët kishin si objektiv kryesor bizhuteritë dhe paratë. Hetuesit arritën të identifikonin shqiptarin përmes gjurmëve të këpucëve të gjetura në një banesë të grabitur në Beerse dhe të dhënave nga kamerat e kontrollit të targave (ANPR). I pandehuri pretendoi se kishte qenë vetëm shofer për personat e tjerë dhe se nuk kishte dijeni për grabitjet, por gjykata e hodhi poshtë këtë version duke e cilësuar të pabesueshëm.

Gjykata vendosi se 31-vjeçari kishte bashkëpunuar dhe organizuar grabitjet së bashku me persona të tjerë, duke e dënuar me katër vite burg. Aktualisht ai mbahet nën masë sigurie me monitorim elektronik nëpërmjet një byzylyku në kyçin e këmbës. Dëmi financiar ndaj viktimave të vjedhjeve, sipas autoriteteve belge, arrin në më shumë se 75 mijë euro.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit