Shqiptari hero në Britani i shpëton jetën 19-vjeçarit të goditur me thikë

Shqiptari hero në Britani i shpëton jetën…

Këshilltari shqiptar në Britaninë e Madhe, Tuli Zefi, është vlerësuar për reagimin e tij të shpejtë pasi i shpëtoi jetën një 19-vjeçari të plagosur rëndë me thikë gjatë një konflikti në Oldbury.

Ngjarja ndodhi pasditen e 2 korrikut, teksa Zefi ishte duke shkuar drejt godinës së Këshillit të Sandwell. Në Market Street ai vuri re një grup të rinjsh të përfshirë në një sherr. Fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një debat mes adoleshentësh, ndaj uli xhamin e makinës dhe u bëri thirrje të ndalonin.

Pas ndërhyrjes së tij, disa prej të rinjve u larguan me vrap, ndërsa një 19-vjeçar mbeti në vend. Kur Zefi iu afrua për ta pyetur nëse ishte mirë, i riu i tha se ishte goditur me thikë.

Këshilltari shqiptar zbriti menjëherë nga makina, i dha ndihmën e parë dhe u përpoq t’i ndalonte gjakderdhjen, ndërsa e mbajti të vetëdijshëm duke folur me të deri në mbërritjen e ambulancës. I riu u transportua në spital në gjendje kritike, ku iu nënshtrua një operacioni.

Duke reaguar më pas në rrjetet sociale, Tuli Zefi tha se ajo që pa ishte “diçka që askush nuk duhet ta përjetojë”, ndërsa shprehu solidaritetin me familjen e të riut.

“Krimi me thikë po shkatërron jetë. Asnjë debat, asnjë fyerje dhe asnjë postim në rrjetet sociale nuk ia vlen t’i marrë jetën dikujt. Vendoseni thikën poshtë, largohuni nga konflikti dhe zgjidhni jetën”, u shpreh ai.

Mesazhi i këshilltarit shqiptar është përshëndetur gjerësisht në Britani, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit