Nëna e 45-vjeçares shqiptare, Julieta Obzova, është ende në gjendje shoku pas vrasjes së së bijës në Nea Smyrni të Athinës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 23 gusht, ndërsa nëna e viktimës mësoi për tragjedinë nga vajza tjetër, pak kohë pas krimit.
Me lot në sy, ajo u shpreh para gazetarëve:
“Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë”.
Nëna e 45-vjeçares tha se e bija nuk i kishte treguar për ndonjë lidhje sentimentale dhe se me ish-bashkëshortin ishte ndarë prej kohësh.
48-vjeçari me origjinë shqiptare, i identifikuar si Altin Allmuça, dyshohet se kishte qëndruar në pritje në makinën e tij, pranë pallatit ku 45-vjeçarja jetonte me vajzën e saj 16-vjeçare, në rrugën “Grigoriu Kydonion”. Sipas dyshimeve të hetuesve, në momentin që gruaja doli nga pallati, 48-vjeçari zbriti nga automjeti, iu afrua dhe e qëlloi me armë zjarri. 45-vjeçarja u rrëzua e pajetë në hyrje të banesës.
Pas krimit, 48-vjeçari dyshohet se ka qëlluar veten në kokë me të njëjtën armë. Pistoleta u gjet pranë trupit të tij. Policia greke po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa një nga çështjet që po hetohet është koha që autori i dyshuar kishte qëndruar pranë pallatit dhe nëse e kishte planifikuar më herët sulmin.
Të shtënat janë dëgjuar nga banorët rreth orës 05:30. Një prej tyre ka treguar se ka dëgjuar tre të shtëna, ndërsa një tjetër ka folur për tre zhurma shumë të forta, të ndara me disa sekonda nga njëra-tjetra.
Menjëherë pas të shtënave, në zonë janë dëgjuar sirenat e policisë, e cila mbërriti në vendngjarje për të nisur hetimet.