Shqiptari nga Maqedonia e Veriut: U dhunova nga disa persona në Shëngjin, kërkoj drejtësi dhe pamjet e kamerave!

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut: U dhunova…

Një qytetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një ngjarje të rëndë, që sipas tij ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Shëngjin.

Ai pretendon se ishte duke pushuar në zonën e plazhit, pranë restorantit “Royal”, kur rreth orës 22:30 u dhunua fizikisht nga disa persona.

Sipas denoncimit të tij, ai ndodhej i vetëm në momentin e konfliktit dhe pretendon se nuk kishte provokuar askënd. Ai thotë se një prej personave të përfshirë është shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilin pretendon se e njeh, ndërsa shton se konflikti lidhet me mosmarrëveshje të mëparshme dhe mesazhe kërcënuese që, sipas tij, i kishte marrë prej kohësh.

Qytetari bën me dije se ngjarjen e ka denoncuar në Policinë e Shtetit dhe se autoriteteve u ka dhënë informacionin që disponon për personat që pretendon se e kanë dhunuar.

Ai shprehet se në momentin e ngjarjes ndodheshin qindra persona në zonë dhe shumë prej tyre e kanë filmuar konfliktin me telefonat e tyre. Për këtë arsye, ai u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë qenë të pranishëm atë mbrëmje dhe të kenë pamje nga ngjarja, t’ia vënë ato në dispozicion autoriteteve ose t’i dërgojnë në redaksinë e JOQ Albania.

Sipas tij, pamjet janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për t’i përdorur si provë në procedurat ligjore që synon të ndjekë.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit të sqarojë rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe të kryejë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e saj.

Nëse ndonjë qytetar ka qenë i pranishëm në zonën e plazhit pranë “Royal” në Shëngjin, mbrëmjen e së premtes rreth orës 22:30, dhe disponon pamje të konfliktit, mund t’i dërgojë ato në redaksinë e JOQ Albania ose t’ua vërë në dispozicion organeve ligjzbatuese. Çdo informacion mund të ndihmojë në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit