Shqiptari nuk pyet se është zonë e populluar, vjedh makinën në mes të ditës

Shqiptari nuk pyet se është zonë e…

Në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë sot rreth orës 15:00 është vjedhur një veturë, të cilën pronari e kishte parkuar pranë trotuarit, e rasti është filmuar nga kamerat e sigurisë.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin e vjedhjes së veturës në Lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet.

Me datë 10.06.2020 rreth orës 15:10 në Rr.Fahri Fazliu në Prishtinë është raportuar një rast “Vjedhje e Automjetit”. Dyshohet se automjeti i ankuesit me targa vendore ka qenë i parkuar për kohë të shkurtër në një parking të një lokali dhe derisa ankuesi ka kryer shërbimin në lokal, personi/a i dyshuar ka hyrë në automjetin e tij dhe ka ikur në drejtim të panjohur”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Sipas Hoxhës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po i zhvillojnë hetimet në drejtim të zbardhjes së rastit.

“Policia e Kosovës ka dalë në lokacion dhe njësitet kompetente janë duke kryer hetime lidhur me rastin”, ka thënë Hoxha.

I tërë rasti është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shihet momenti kur pronari i veturës e parkon atë, ndërsa pas pak castesh paraqitet një person i panjohur, i cili hyn në automjet dhe e drejton atë duke ikur në drejtim të panjohur.

Makina e vjedhur u gjet në orët e pasdites në afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, ndërsa autori i dyshuar e ka braktisur atë për t’iu shmangur arrestimit.

“Ju konfirmoj lidhur me rastin e veturës së raportuar të vjedhur sot pasdite në Prishtinë se, pas angazhimeve të zyrtarëve policorë dhe bashkërendimit të veprimeve hetimore dhe operative në mënyrë profesionale Policia e Kosovës ka arrit që veturën në fjalë ta gjejë dhe lokalizojë në një lokacion në Komunën e Vitisë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Hoxha, për Telegrafin.

Më tej ai ka thënë se “veprime tjera policore janë ende në proces për identifikimin dhe gjetjen e personit të dyshuar, i cili ka braktisur veturën për t’iu shmangur arrestimit nga Policia”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit