Shqiptarja mashtron shoqen greke, i merr 130 mijë € i investon në Bitcoin

Shqiptarja mashtron shoqen greke, i merr 130…

Shqiptarja 37-vjeçare që u dënua me 10 vite burg, ka kërkuar para fillimisht për të nisur procedurat e vizës amerikane, pasi kishte gjetur një të dashur online dhe donte të bashkohej me të. Shoqja greke i jepte para hua që shqiptarja të siguronte një jetë më të mirë, por ajo i investonte në Bitcoin. 

Dy mjekë të dyshuar amerikanë, që dyshohet se ishin në një mision paqeruajtës me OKB-në në Jemen, dhe që flirtonin online me dy gra në Greqi duke u ofruar atyre martesë dhe një jetë të pasur në SHBA, ishin protagonistët e një mashtrimi me vlerë 130 000 euro në Bitcoin. Mashtrimi u zbulua prillin e kaluar nga Prokuroria e Krimeve Elektronike të Greqisë. 

“Mjekët” nuk u identifikuan kurrë dhe ekzitojnë dyshimet se kemi të bëjmë vetëm me një person, por bashkëpunëtorja e tyre një shqiptare 37-vjeçare, e cila më pas mashtroi edhe shoqen e saj 44-vjeçare është arrestuar prej muajsh.

Sot Gjykata e Apelit Penal të Selanikut, pranë së cilës mbërriti çështja, e dënoi me 10 vite burg, duke e shpallur fajtore për mashtrim dhe pjesëmarrje në bandë, raporton Protothema.

Burri dhunues dhe tezja nga Nju Xhersi

Sipas asaj që u zbulua gjatë seancës, gjithçka ka nisur në korrik të vitit 2021. Në atë kohë, 44-vjeçarja greke punonte me shqiptaren në një akomodim turistik në Halkidiki. Mes dy grave duket se është krijuar një marrëdhënie miqësore, pasi grekja ka marrë përsipër të pagëzojë një nga dy fëmijët e mitur të 37-vjeçares.

Shqiptarja i kishte deklaruar 44 vjeçares se bashkëshorti i saj, si atë dhe dy fëmijët e tyre i kishte dhunuar. Ajo i kishte treguar se nuk e trajtonte mirë, pinte dhe kur vinte i dehur në shtëpi e kishte rrahur.

Për këtë arsye, sipas asaj që dëshmoi 44-vjeçarja në Gjykatë, ajo synonte ta linte dhe të shpërngulej me fëmijët e saj në Nju Xhersi të SHBA-ve, për t’u martuar me një mjek amerikan, të cilin dyshohet se e kishte njohur nëpërmjet tezes së saj që jeton atje. 

Për të qenë më bindëse, shqiptarja i ka paraqitur grekes një marrëveshje që dyshohet se e bënte atë përfituese të llogarisë së mjekut me depozita prej 1 milion dollarësh. Kështu shqiptarja filloi t’i kërkonte para për të nisur procedurat e vizave përmes Ambasadës Amerikane,fillimisht 3000 e më pas 6000 euro. 

“Ishte këmbëngulëse”, dëshmoi grekja e cila duket se është bindur nga fjalët e shoqes së saj shqiptare, pasi e siguroi se ishin “para të marra hua” dhe do t’ia kthente sapo të rregullonte jetën. 

“Ishte pranë meje, dukej e pikëlluar, qante vazhdimisht, kërkonte ndihmën time financiare”, tha grekja. 

“I bllokuar në Jemen”

Ndërsa plani zhvillohej, shqiptarja i tregonte shoqes së saj greke mesazhe që dyshohej se kishte shkëmbyer me dhëndrin e mundshëm. 

Pas disa fotove që shqiptarja kishte hedhur në facebook me shoqen greke, një tjetër “mjek” ka dalë në skenë dhe ka shfaqur interes për të. 

Vetë grekja ka dëshmuar në gjykatë se ai “ka treguar” interes për të, ndaj kanë nisur të komunikojnë, duke shkëmbyer me radhë mesazhe dashamirëse. 

Problemi për lulëzimin e “dashurive” të dy grave ishte se mjekët e supozuar amerikanë ishin bllokuar në Jemen dhe për të ardhur në Greqi duhet të “prishnin” kontratat e tyre, duke paguar shuma të mëdha parash për këtë qëllim. Ajo që 44-vjeçarja nuk e dinte deri atëherë ishte se mesazhet ishin të rreme, me mjekun e supozuar të dashuruar, që pretendonte se ishte në Jemen duke e kontaktuar atë duke përdorur adresat e emailit dhe numrat e telefonit që i përkisnin Nigerisë dhe SHBA-së. 

Duke injoruar se e gjithë kjo ishte pjesë e mashtrimit dhe nën presionin psikologjik që shqiptarja i bënte, grekja filloi t’i jepte para hua për të përmirësuar standardin e saj të jetesës, por ajo i investonte në Bitcoin. 

“Unë ia dorëzoja asaj dhe ajo i vendoste në një makinë kriptomonedhe (këmbim). Unë as nuk e dija se çfarë ishin Bitcoin, ajo dukej se e dinte”, dëshmoi e mërzitur grekja. 

“Më fal, i besova dikujt që nuk e meritonte”

37-vjeçarja shqiptare, ndërsa i kërkonte falje grekes mohoi akuzat e mashtrimit dhe pretendoi se edhe ajo ishte viktimë e të njëjtit mashtrim. 

Besova te një njeri që nuk e njihja, ky ishte gabimi im”, tha ajo, duke i kërkuar falje familjes së saj. 

Ajo pranoi se i kishte marrë 97 mijë euro, shumë që tashmë nuk e kishte më sepse e kishte humbur në investime. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit