Shqiptarja në Itali kundër Melonit: Fëmijët emigrantë nuk janë të huaj

Shqiptarja në Itali kundër Melonit: Fëmijët emigrantë…

Fioralba Duma, përfaqësuese e rrjetit “Italiani senza cittadinanza”, ka kritikuar deklaratat e kryeministres italiane Giorgia Meloni për vendosjen e një kufiri prej 30% për nxënësit e huaj në klasat e shkollave. Në një intervistë për “La Repubblica”, Duma, e cila ka lindur në Shqipëri dhe jeton në Itali prej vitit 2001, argumenton se një pjesë e madhe e nxënësve të kategorizuar si të huaj kanë lindur në Itali dhe janë arsimuar në sistemin italian.

Sipas Dumës, në vitin 2024 nxënësit e huaj përbënin 12.6% të totalit të nxënësve në Itali, rreth 923 mijë persona, ndërsa 65% e tyre kishin lindur në Itali. Ajo kundërshton idenë e trajtimit të tyre si të ndryshëm vetëm për shkak se nuk kanë shtetësi italiane, duke theksuar se edhe dy djemtë e saj binjakë, të lindur në Itali, konsiderohen ende të huaj. Duma thotë se kufiri prej 30% rrezikon të stigmatizojë praninë multietnike në shkolla dhe të thellojë ndarjet mes komuniteteve.

Duke folur për integrimin, Duma pranon se në disa zona prania e nxënësve me origjinë të huaj është e lartë, por argumenton se zgjidhja duhet të jetë përfshirja dhe jo ndarja e fëmijëve nga shkollat e lagjeve të tyre. Ajo thekson gjithashtu se shumë emigrantë dëshirojnë të integrohen dhe të marrin shtetësinë italiane, ndërsa përmend edhe vështirësitë që ka hasur vetë në këtë proces, pavarësisht se jeton prej 25 vitesh në Itali dhe është e diplomuar në psikologji.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit