Një prind, banor i Njësisë Administrative nr. 7 në Tiranë ka ngritur shqetësimin për procesin e regjistrimit të fëmijëve në kopshtin nr. 26 “Dielli”, pranë rrugës “Kongresi i Lushnjës”, duke kërkuar transparencë dhe verifikim të mënyrës se si janë trajtuar aplikimet.
Ai ka aplikuar në portalin përkatës për regjistrimin e fëmijës në kopshtin “Dielli”, por ka mësuar se aplikimi nuk është pranuar për këtë kopsht për shkak të kapacitetit të ulët dhe duhet ta transferojë fëmijën diku tjetër. Prindi thotë se ky është viti i dytë radhazi që përballet me të njëjtin problem, pavarësisht se banon vetëm pak metra larg institucionit.
Qytetari shprehet gjithashtu se në kopsht regjistrohen fëmijë që vijnë nga zona të tjera, jashtë territorit të Njësisë 7, ndërsa familjet që banojnë pranë kopshtit mbeten pa vende. Ai ngre dyshime për favorizime dhe korrupsion, duke kërkuar që të hetohet drejtuesja e kopshtit dhe personat përgjegjës për procesin e regjistrimit.
“Kam dy vjet të njëjtin problem me kopshtet dhe korrupsionin me drejtoreshat. Ne që e kemi shtëpinë 4 metra larg na çojnë në fund të dynjasë, ndërsa fëmijë nga lagje të ndryshme regjistrohen aty”, shprehet prindi në denoncimin e tij.
Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare drejtuar aplikantit thuhet se numri i aplikimeve gjatë periudhës zyrtare për kopshtin nr. 26 “Dielli” ka qenë disa herë më i lartë se kapaciteti fizik i institucionit. Për këtë arsye, sipas përgjigjes, komisioni ka kaluar aplikimin në procesin “Transferim Aplikimi”, duke mundësuar regjistrimin pranë kopshtit nr. 17 “Yjet”.
Megjithatë, prindi kërkon të dijë se mbi çfarë kriteresh është bërë përzgjedhja e fëmijëve dhe nëse janë respektuar kriteret territoriale dhe të prioritetit për banorët e Njësisë 7.
Ai kërkon një verifikim të plotë të listave të regjistrimeve, kritereve të përdorura dhe mënyrës së shpërndarjes së vendeve, me qëllim që të sqarohet nëse ka pasur shkelje apo favorizime gjatë procesit.
“Na është sosur durimi dhe kërkojmë urgjentisht një zgjidhje. Nëse nuk marrim përgjigje, do të detyrohemi të protestojmë”, shprehet qytetari.
