Shtetet Balltike i japin fund varësisë nga rrjeti elektrik rus

Shtetet Balltike i japin fund varësisë nga…

Të shtunën, më 8 shkurt, Estonia, Letonia dhe Lituania u shkëputën përfundimisht nga rrjeti energjetik i Rusisë dhe u integruan në sistemin energjetik të Bashkimit Evropian. Kjo lëvizje strategjike synon të eliminojë çdo mundësi të ndikimit rus përmes furnizimit me energji elektrike.

Dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, tani anëtare të BE-së dhe NATO-s, tre vendet baltike e kishin planifikuar këtë ndryshim prej vitesh, por përballeshin me sfida teknike dhe financiare. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 e bëri shkëputjen edhe më urgjente, duke rritur shqetësimet se ato mund të ishin objektivi i radhës i Moskës.

Ministri i Energjisë i Lituanisë, Zygimantas Vaiciunas, e cilësoi shkëputjen si një fitore të madhe për sigurinë energjetike të rajonit. “Ne kemi eliminuar çdo mundësi që Rusia të përdorë kontrollin e rrjetit si armë,” tha ai për AFP.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e përshkroi këtë hap si një triumf për lirinë dhe unitetin evropian. “Ne e kemi pritur këtë moment për një kohë të gjatë. Sistemi energjetik i shteteve baltike është më në fund në duart tona,” theksoi ajo.

Prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, Estonia, Letonia dhe Lituania kishin ndalur blerjet e gazit dhe energjisë nga Rusia. Megjithatë, rrjetet e tyre mbeteshin të lidhura me sistemin rus dhe bjellorus, duke u vënë nën ndikimin e Moskës. Me këtë lëvizje, shtetet baltike kanë bërë një hap vendimtar drejt pavarësisë së plotë energjetike dhe integrimit të plotë me Evropën.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit