Shteti në gjunjë për Kanye West: Policia bllokon Tiranën për “YE”, qytetarët në kurth për një koncert

Shteti në gjunjë për Kanye West: Policia…

Nëse keni planifikuar të lëvizni në hyrje apo dalje të Tiranës këtë të shtunë, më mirë ndryshoni planet ose përgatituni për një makth të vërtetë në trafik. Policia e Shtetit ka vendosur të kthehet në një agjenci private sigurie në shërbim të reperit amerikan Kanye West (YE), duke paralizuar totalisht një nga arteriet kryesore të vendit për më shumë se 17 orë.

Me një njoftim që ngjan më shumë me një urdhër dorëzimi përpara “Yeezy-t” sesa me një plan menaxhimi, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije se më datë 11.07.2026, Kashari dhe autostrada Tiranë-Durrës do të jenë nën “shtetrrethim”.

Plani i bllokimit: Ku do të ngecin qytetarët?

Që nga mëngjesi e deri në mesnatë, policia do të devijojë dhe ndalojë qarkullimin në pikat më nevralgjike:

  • Nga ora 07:00 deri në 24:00: Bllokohet plotësisht aksi dytësor i autostradës “Durrës–Tiranë”, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje, duke lënë në baltë mijëra biznese dhe banorë të zonës.

  • Nga ora 07:00 deri në 24:00: Ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës te rrethrrotullimi i “Casa Italia-s”.

  • Nga ora 12:00 deri në 24:00: Bllokim total në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.

  • Nga ora 12:00 deri në 24:00: Segmenti “Rruga ‘Sokrat Miho’ – rruga ‘Kasem Shima’ – rruga ‘7 Nëntori’” do të funksionojë vetëm për dalje.

Sikur të mos mjaftonin këto, policia paralajmëron me indiferencë se nga ura e Institutit deri tek “Casa Italia” mund të ketë bllokime të tjera të pjesshme, sipas “qejfit” të fluksit.

Policia e “mirëkuptimit” apo e nënshtrimit?

Ndërsa taksapaguesit shqiptarë paguajnë rrogat e uniformave blu që këta të fundit të garantojnë rendin dhe lëvizjen e lirë, Policia e Tiranës ka zgjedhur të bëjë të kundërtën: të garantojë “zhvillimin normal” të biznesit të Kanye West, duke izoluar qytetarët e saj.

“Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve…” – thotë njoftimi.

Por si mund të kërkohet mirëkuptim kur bllokohet hyrja kryesore e kryeqytetit në fundjavë, në kulmin e sezonit turistik, vetëm që një yll ndërkombëtar të performojë në Kashar? Në vend që shteti të detyronte organizatorët të gjenin hapësira që nuk paralizojnë jetën urbane, policia ka vendosur të dorëzojë çelësat e qytetit.

Përveç mjeteve të emergjencës dhe vetë policisë, askush tjetër nuk do të shkelë në këto akse. Ditën e shtunë, Tirana zyrtarisht nuk u përket tiranasve, por “YE”-së dhe policisë që i bën fresk.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit