Shtyhet projekti 1.4 miliardë euro në Sazan, shteti merr përsipër kostot e pastrimit piroteknik

Shtyhet projekti 1.4 miliardë euro në Sazan,…

Qeveria shqiptare ka shtyrë afatet për projektin e madh prej 1.4 miliardë eurosh për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, duke argumentuar vendimin me vështirësi teknike, ligjore dhe infrastrukturore që kanë ngadalësuar procesin.

Vendimi i ri i Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2025 ndryshon disa nga afatet e përcaktuara më herët në vitin 2024, kur projekti mori statusin e investimit strategjik. Sipas institucioneve, vonesat lidhen me kompleksitetin e projektit dhe koordinimin mes palëve, përfshirë investitorin amerikan Atlantic Incubation Partners LLC.

Me ndryshimet e reja, afati për dorëzimin e dokumentacionit nga investitori zgjatet në 90 ditë nga 60 më parë, ndërsa negociatat për marrëveshjen mund të zgjasin deri në 120 ditë, me mundësi shtyrjeje edhe për një periudhë tjetër të ngjashme.

Rishikime janë bërë edhe për detyrimet e institucioneve shtetërore. Ministrisë së Ekonomisë i jepet më shumë kohë për konsolidimin e pronave dhe kalimin e tyre te Korporata Shqiptare e Investimeve, ndërsa përshtaten edhe afatet për zhvillimin e marinës turistike dhe përfshirjen e zonës në planet zyrtare të zhvillimit.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me kostot e pastrimit të zonës nga rreziku piroteknik. Ndryshe nga plani fillestar ku këto shpenzime do të mbuloheshin nga investitori, tashmë ato kalojnë në përgjegjësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas dokumenteve zyrtare, gjatë procesit është shënuar përparim, përfshirë nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi, zhvillimin e 10 raundeve negociatash dhe përfundimin e inventarizimit të aseteve nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu është kryer edhe regjistrimi i pronave dhe janë identifikuar kostot për pastrimin e zonës.

Projekti në Sazan parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me marina, hotele, rezidenca dhe shërbime luksoze në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh. Ishulli aktualisht ndodhet nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është pjesërisht zonë e mbrojtur.

Investimi po zhvillohet nga kompania amerikane në bashkëpunim me institucionet shqiptare përmes strukturave shtetërore të investimeve dhe portave detare, dhe mban statusin e projektit strategjik

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit