Shtyhet udhëtimi në hapësirë për shkak të motit

Shtyhet udhëtimi në hapësirë për shkak të…

Moti i keq ka shtyrë për në fundjavë fluturimin në orbitë të dy astronautëve amerikanë.

Stuhia e fortë dhe vetëtimat bënë të mërkurën që 17 minuta para planit të anulohet lëshimi i kapsulës  “Crew Dragon”  drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.

Nisja e raketës nga një bazë amerikane cilësohet një ngjarje historike për vendin këto 9 vitet e fundit.

Kompania private “SpaceX” dhe Agjencia amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, thanë se do tentojnë sërish ta mbyllin operacionin të shtunën ose të dielën, në varësi të kushteve të motit.

Një ditë më parë, një nga spektatorët pritej të ishte edhe presidenti i vendit, Donald Trump.

“Kjo është një ditë emocionuese për vendin tonë. Kemi tre vite e gjysmë që e presim këtë ngjarje. Nuk po them urime sepse kemi ende shumë për të arritur.”

Raketa e prodhuar nga kompania amerikane “SpaceX” synon të transportojë dy astronautë të NASA-s në hapësirë për të testuar funksionimin e kapsulës së tyre në Stacionin Ndërkombëtar.

Pas lëshimit, raketa do përshkojë atmosferën për dy minuta, dhe me t’u stakuar, për 12 minutat e ardhshme do i lërë radhën pilotëve për të çuar platformën e tyre në stacion.

Fazat e transferimit dhe ankorimit të mjetit do komandohen nga kompjuteri, pa ndërhyrjen e njeriut.

Si masë kundër koronavirusit, dy astronautët kanë qëndruar në karantinë në dy javët e fundit.

Të dy pilotët ushtarakë kanë përvoja të mëparshme me fluturimet hapësinore dhe të specializuar në inxhinierinë mekanike dhe civile.

Presidenti amerikan Trump ka synimin që brenda vitit 2024 të mund të rikthejë astronautët amerikanë në Hënë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit