Banorët e zonës së Myltes, në Njësinë Administrative Shënkoll, Lezhë, kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rrjetit elektrik, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Sipas denoncimit të një qytetari, disa shtylla elektrike kanë rënë dhe telat e energjisë kanë mbetur shumë pranë tokës, duke krijuar një rrezik serioz për banorët e zonës, veçanërisht për fëmijët.
“Jemi në Mylte, Njësia Administrative Shënkoll. Shtyllat e energjisë kanë rënë përtokë dhe telat e korrentit janë më pak se një metër nga toka. Çdo fëmijë apo i rritur mund t’i prekë. Kjo është një situatë me rrezik të madh,” shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë që OSHEE dhe njësia administrative të ndërhyjnë sa më shpejt për vendosjen e shtyllave të reja dhe riparimin e linjës elektrike, duke theksuar se ata i paguajnë rregullisht faturat e energjisë dhe presin që shërbimi të ofrohet në kushte të sigurta.
“Kur nuk paguajmë faturat, na ndërpritet energjia. Por për sa kohë ne paguajmë rregullisht, kërkojmë që edhe rrjeti elektrik të mirëmbahet dhe të garantohet siguria e banorëve,” thuhet në denoncim.
Banorët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse që të marrin masa para se kjo situatë të sjellë pasoja të rënda.