Shumë shpejt Korça 'nuk do ketë' biznese

Shumë shpejt Korça ‘nuk do ketë’ biznese

Kryeqendra e juglindjes së vendit Korça duket se po boshatiset dita ditës si shumë qarqe të tjera të vendit. Nuk është lotaria amerikane që po largon korçarët nga vendlindja e tyre, por gjendja e rëndë ekonomike që po i detyron të mbyllin bizneset dhe të ikin.

Nga të dhënat e bashkisë Korçë për vitin 2022, rezulton se të regjistruara kanë qenë 417 biznese, ndërkohë që vetëm një vit më pas në fund të 2023 numri i tyre ra në 333. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe 205 biznese të tjera kanë aplikuar për çregjistrim biznesi në vitin 2023.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, shkak i kësaj gjendje është inflacioni, kostot e larta të mbajtjes së biznesit, emigrimi i të rinjve jashtë vendit dhe kursi i këmbimit valutor.

Numri më i madh i këtyre bizneseve janë kryesisht biznese të vogla, të cila nuk po mund të mbijetojnë pavarësisht numrit të konsiderueshëm të turistëve që vizitojnë Korçën në stinën e dimrit. Inflacioni i ka shtuar koston këtyre bizneseve, të cilat në shumicën e rasteve janë dhe i vetmi burim të ardhurash për pronarët e tyre.

Mbështetja financiare dhe ndryshimi i politikave të zhvillimit rajonal jepen si rrugëzgjidhje nga Junada Sulillari pedagoge e Fakultetit Ekonomik në Korçë, e cila shprehet se pjesa më e madhe e të rinjve nuk ka nxitje ose motivim për krijuar një biznes që të kthehen në sipërmarrës.

Prej vitesh Korça ka humbur mijëra të rinj që janë larguar në Greqi, Maqedoni, në drejtim të vendeve perëndimore dhe BE. Situata duket e zymtë dhe për disa vite të tjera, ku kryeqendra e juglindjes parashikohet të ketë një ulje më të madhe të bizneseve, duke shtuar papunësinë në qytet dhe vështirësuar jetesën e banorëve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit