
Vogëlushja kërkoi ndihmë në orën 6 të mëngjesit, duke u futur në oborrin e fqinjit dhe duke lutur të mos kthehej më në shtëpi.
Vajza 12-vjeçare nga fshati Sheqishtë i Fierit ka tronditur opinionin publik pasi shpëtoi nga abuzimi i vazhdueshëm brenda familjes së saj. Vajza u largua nga shtëpia dhe kërkoi ndihmë te fqinji i saj, Bahri Mblloshmi, në orët e para të mëngjesit. Ai e gjeti të tmerruar dhe të dëshpëruar, ndërsa ajo shprehej se nuk donte të kthehej më tek babai.
Mblloshmi tregoi se në orën 6 të mëngjesit kishte parë një fëmijë në ballkonin e shtëpisë së tij. Pasi e pyeti, vajza i rrëfeu se ishte hedhur nga dritarja për t’u larguar nga shtëpia. “Më tha se nuk dëshiron të kthehet më atje, donte një familje tjetër”, u shpreh ai.
Fqinji tregoi se vajza i kishte flokët e prerë dhe ishte shumë e shqetësuar. Ajo i kishte thënë se ishte vetë babai ai që e kishte qethur. “Në fillim mendova mos kishte ndonjë problem tjetër. Ishte e hutuar, shikonte nuset e djemve të mi dhe më pyeste se cila ishte vajza ime. Kur i thashë që të dyja janë të miat, më tha ‘sa baba i mirë je ti’,” kujton ai me emocion.
Mblloshmi tha se kishte marrë menjëherë masa për ta strehuar vajzën përkohësisht. Ai i kërkoi nuseve të djemve që ta mbanin vajzën në shtëpi dhe njoftoi menjëherë kryetarin e fshatit për situatën. Edhe pse policia mbërriti më vonë, ai tregon se e mitura kishte dhënë sinjale të qarta frike dhe refuzimi për të qëndruar me babain.
Sipas tij, vajza nuk kishte ndalur së thëni se nuk donte të kthehej më në atë shtëpi. Kërkonte një jetë ndryshe, një familje që do ta mbështeste dhe mbronte. “Nuk ishte vetëm e trembur, ishte e rrënuar emocionalisht,” shprehet ai.
Dëshmia e fqinjit vjen ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa babai i vajzës ka qenë ai që kishte bërë denoncimin për largimin e saj, përpara se të zbulohej e vërteta tronditëse.
Ky rast hedh dritë mbi një plagë të rëndë të shoqërisë shqiptare, ku shpeshherë fëmijët mbeten të pambrojtur edhe brenda mureve të shtëpisë. Rasti i Sheqishtës është një thirrje për veprim të menjëhershëm institucional dhe për një sistem mbrojtës më të fortë për fëmijët që ndodhen në rrezik. Sepse rastet si ky po bëhen normë për shoqërinë tonë, e cila po degradon gradualisht.