Si e bëri Petrit Fusha hotelin 500 mijë euro me tokën e dajës dhe paratë e babës, prokuroria nuk vepron, OFL mbyll sytë, anti-mafia jashtë loje

Si e bëri Petrit Fusha hotelin 500…

Ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, perceptohet si një ndër njerëzit më të korruptuar të drejtësisë që ngriti klasa politike e Tiranës. Dhe perceptimi për Fushën ka baza reale. Fusha ia mbathi nga drejtësia sapo Komisioni i Vetingut i dërgoi dosjen e hetimit, ku i kërkonte të shpjegonte se ku i kishte marrë paratë për ndërtimin e një hoteli me vlerë mbi 500 mijë euro në Periferi të Tiranës, aty ku kishte blerë tokë edhe Adriatik Llalla, dhe për pasuritë e tjera që kishte krijuar, duke marrë para në këmbim të mbylljes së dosjeve. Fusha bëri një letër ku ‘shpjegonte’ arsyet e dorëheqjes. Ai thoshte se po largohej nga drejtësia se ashtu kishte një punë dhe ashtu ishin rrethanat. E vërteta është se Fusha u largua nga drejtësia pasi nuk kishte asnjë shpresë për t’i shpëtuar shkarkimit dhe ekspozimit të pasurive të paligjshme, të cilat do të vinin në siklet të madh dhe pozita të vështira edhe SPAK.

Pas largimit, Komisioni i Vetingut e referoi dosjen e Petrit Fushës në Prokurori, pikërisht në prokurorinë që kishte drejtuar vetë Fusha. Dosja e Petrit Fushës vuri në pozita të vështira kolegët e tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, Olsian Çelën dhe Arben Krajën. Prej më shumë se një viti dosja e pasurive të paligjshme të Petrit Fushës mbahet e ‘ngrirë’, një metodë që përdor shpesh prokuroria. Disa ditë më parë, kreu i SPAK-ut njoftoi se dosja e Fushës duhet të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, që më parë drejtohej nga vetë Petrit Fusha. Tashmë ndodhemi para tre skandaleve të rënda të drejtësisë shqiptare.

Së pari, prokuroria nuk çon Petrit Fushën në gjykatë për mashtrim me pasurinë, pastrim parash, falsifikim dokumentesh etj.

Së dyti, prokuroria nuk zbaton në rastin konkret ligjin anti-mafia, për t’i sekuestruar Petrit Fushës hotelin dhe pasuritë tjera që nuk justifikon me të ardhura të ligjshme.

Së treti, Petrit Fusha është subjekt i OFL, për shkak të përfshirjes së të afërmeve në trafik droge. OFL nuk vepron në rastin konkret. Po si e ka bërë Petrit Fusha hotelin?

Fillimisht, Petrit Fusha pretendon se i ka falur daja 2000 m2 tokë në fshatin Mjull-Bathore të Tiranës, aty ku ka blerë tokë edhe Adriatik Llalla. Në këto tokë, Petrit Fusha ka bërë hotelin me sipërfaqe ndërtimi 1117 m2. Kati i parë ka funksionuar fillimisht si restorant. Për të bërë godinën, Fusha thotë se babai i ka dhënë 110 milionë lekë, ndërsa motra i ka dhënë 60 milionë lekë. Sipas burimeve, Komisioni i Vetingut ka vërtetuar se babai i Fushës nuk i ka pasur këto para, çka vërteton se Fusha ka gënjyer dhe ka përdorur babain e tij, për mbulimin e parave të pista. Gjithashtu, sipas dosjes, vlera e hotelit është më e madhe se 170 milionë lekë që Fusha i ka marrë nga babai dhe motra.

Për këtë arsye, Prokurori ka deklaruar se ka marrë edhe një kredi 130 milionë lekë. Por, Fusha i ka shtuar hotelit ambiente të tjera dhe një pishinë, me vlerë 250 milionë lekë. Fusha thotë se për të justifikuar ndryshimin e hotelit ka marrë 235 mijë euro kredi. Më pas, Fusha ka deklaruar se ka dhënë restorantin me qira deri në 60 mijë euro në vit. Kush është ai që do të merrte me qira 6 mijë euro në muaj një restorant në fshatin Mjull-Bathore?

Nga hetimet e Komisionit të Vetingut, ka rezultuar se Fusha ka mashtruar me pasurinë, pasi resorti është ndërtuar me para të pista. Kjo ka qenë edhe arsyeja se pse Komisioni i Ventingut e ka referuar dosjen në prokurori./Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit