Si e la shoferi të vdiste në rrugë babain e tre fëmijëve pasi e përplasi

Si e la shoferi të vdiste në…

Një ngjarje e rëndë trondit Durrësin, ku një baba i tre fëmijëve të mitur, Vasil Hasani, ka gjetur vdekjen tragjikisht pasi është përplasur nga një automjet ndërsa po kthehej në shtëpi nga puna. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes në aksin rrugor Shkozet-Shijak, në zonën e Rrashbullit, ndërsa viktima po udhëtonte me biçikletë.

Përtej goditjes fatale, ngjarja ka marrë përmasa çnjerëzore për shkak të braktisjes nga drejtuesi i mjetit. Shoferi jo vetëm që nuk është ndalur për t’i dhënë ndihmën e parë, por është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke e lënë 41-vjeçarin të shtrirë në asfalt.

Vasil Hasani ka qëndruar pa ndjenja dhe pa asnjë ndihmë mjekësore për më shumë se katër orë në rrugë. Trupi i tij i pajetë u vu re vetëm rreth orës 06:00 të mëngjesit nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë autoritetet. Fatkeqësisht, mbërritja e ndihmës ishte e kotë, pasi plagët e marra kishin rezultuar fatale.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e drejtuesit të automjetit, ndërkohë që familja e viktimës lëshon një apel të fortë drejt autoriteteve për të vënë sa më parë para drejtësisë autorin e kësaj tragjedie.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit