Si e ndryshon vala e të nxehtit mënyrën se si planifikohen pushimet në Europë

Si e ndryshon vala e të nxehtit…

Të nxehtët ekstrem dhe zjarret po i detyrojnë turistët të ndryshojnë sezonin dhe stilin e pushimeve në Europë

Gjatë verës së vitit 2023, Katie Piercefield-Holmes udhëtoi me familjen e saj drejt ishullit të Rodosit në Greqi për pushimet verore. Por përballja me temperatura ekstreme dhe zjarret e përhapura e kthyen udhëtimin në një përvojë stresuese. “Edhe një ecje pesëminutëshe pas mëngjesit ishte e padurueshme”, tregon ajo. Megjithëse u këshilluan të evakuoheshin, ata vendosën të qëndronin aty ku ishin, duke menduar se do të ishin më të sigurt.

Fenomenet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke goditur fort vendet më të frekuentuara nga turistët në Mesdhe. Në verën e 2023, Greqia, Italia, Spanja, Turqia dhe Qipro u përballën me temperatura që shkuan deri në 45°C. Vetëm në Europë, mbi 47 mijë vdekje u lidhën me valët e të nxehtit, shumica në vendet e jugut. Në vitin 2022, ky numër ishte më i lartë – mbi 68 mijë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Europian i Turizmit (ETC), 81% e qytetarëve europianë kanë ndryshuar mënyrën e planifikimit të pushimeve për shkak të ndikimeve klimatike. Afërsisht një në tre persona po zgjedhin destinacione me klimë më të butë, për të shmangur temperaturat përvëluese.

Familja e Katie tani udhëton kryesisht në muajt më të freskët si maji ose tetori. Ajo përzgjedh aktivitete kulturore dhe në natyrë në vend të qëndrimit pasiv në plazh. Agjencitë turistike gjithashtu raportojnë rritje të rezervimeve në pranverë, veçanërisht gjatë festave të Pashkëve. Një anketë nga kompania britanike e sigurimeve Insureandgo tregoi se 75% e turistëve mendojnë se shumë vende europiane do të bëhen tepër të nxehta për pushime deri në vitin 2029.

Profesori Bas Amelung nga Universiteti Wageningen paralajmëron se vende si Spanja, Italia, Greqia dhe Turqia mund të mos jenë më të përshtatshme për pushime verore. Edhe nëse temperaturat nuk rriten menjëherë, perceptimi negativ mund të ndryshojë zgjedhjet e pushuesve.

Megjithatë, disa vende po përshtaten. Në pranverën e vitit 2024, Greqia priti 20% më shumë turistë sesa një vit më parë. Spanja po ashtu regjistroi rritje në numrin e vizitorëve gjatë dimrit. Kjo zhvendosje e fluksit turistik jashtë sezonit të zakonshëm po ndihmon ekonominë lokale dhe po siguron më shumë qëndrueshmëri në punësim.

Për të përballuar kostot e ndryshimeve klimatike, Greqia ka vendosur një “taksë të qëndrueshmërisë klimatike” që mund të shtojë deri në 100 euro për dhomë në faturën për pushime. Kjo taksë synon të kompensojë ndikimet mjedisore dhe të mbështesë adaptimin.

Ndërkohë, vende të tjera po promovojnë alternativa të reja. Në Gjermani, rajoni Spessart ka krijuar paketa turistike për të gjitha stinët, me shtigje dhe aktivitete në natyrë. Në Itali, në disa zona bregdetare janë organizuar ture natën, pas orës 22:00, për të shmangur temperaturat e larta. Popullariteti po rritet edhe për destinacionet më të freskëta si Islanda, Finlanda, por gjithashtu edhe për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Megjithëse shumë njerëz po ndryshojnë zakonet, kufizimet e pushimeve shkollore nuk u japin fleksibilitet të plotë familjeve. Disa turistë që kanë përjetuar ngjarje ekstreme nuk kanë ndryshuar destinacionet, por janë bërë më të kujdesshëm për të vlerësuar rreziqet.

Sipas ekspertëve, nëse valët e të nxehtit dhe zjarret do të përsëriten për disa vite radhazi, imazhi i Mesdheut si destinacion veror do të zbehet. Pushimet verore tradicionale në Mesdhe mund të mos jenë më norma, dhe kjo ndarje me zakonet e vjetra po ndodh më shpejt nga sa ishte parashikuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit