Si grabiten taksat/ Fuga i Ramës 469 mln Lekë tender... për mirëmbajtjen e portalit "e-Albania"

Si grabiten taksat/ Fuga i Ramës 469…

Nuk ka funksionuar asnjë ditë si duhet dhe kjo më shumë se kurrë u pa në dy muajt e “burgosjes kombëtare” nga karantinimi prej koronavirusit. Po flasim për të famshmin portalin qeveritar “e-Albania”, ose siç i thonë qytetarët “Edi-Albania”, të cilin qeveria “Rama” e mburr dhe po i bën shumë publicitet sikur ka zgjidhur të gjitha hallet e shqiptarëve.

Por ky portal jo vetëm që nuk u zgjidh shqiptarëve asnjë hall e problem, por u është bërë një peripeci më shumë, e madje edhe një gropë më shumë e cila po “gëlltit” paratë e taksave të tyre.

Qeveria vetëm për ta ideuar dhe për ta promovuar “e-Albania”-n, një ide e “njeriut hije” të kryeministrit Rama, Endri Fugës, mësohet se harxhoi disa qindra milionë lekë. Por ky ishte vetëm fillimi,

“e-Albania” duke u sofistikuar dhe duke u “zgjeruar” me shërbime të reja për qytetarët, ka nisur të kërkojë më shumë para. Dhe kur është fjala për një portal qeveritar të bujshëm, që pretendohet se mund të “zgjidh” çdo hall, paratë nuk mungojnë, madje gjenden gjithmonë… edhe kur është krizë ose situatë e jashtëzakonshme.

Kjo ka ndodhur këto ditë me “pronarin” zyrtar të “e-Albania-s”, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila varet e gjitha de-fakto nga Endri Fuga, Drejtori i Informacionit të Kryeministrit Rama, edhe pse drejtore ka Mirlinda Karcanajn.

Pas akuzave të Myslim Murrizit për tendera sekret, reagon ...

Burime nga kryeministria dhe për të qenë më të saktë nga brenda AKSHI-t, kanë bërë të ditur për “Gazetaatdheu.com” se, “vetë Fuga ka urdhëruar drejtoreshen Karcanaj para pak kohësh, që të bëjë ideimin e një tenderi të majm që do të propozohej dhe aplikohej nga AKSHI-i për të mirëmbajtur për dy vite ose 24 muaj pikërisht portalin zyrtar të shërbimeve qeveritare ‘e-Albania'”.

Sipas burimeve, “me urdhër të Fugës i është kërkuar përfaqësuesve të AKSHI-t, që fondi të kap një vlerë të konsiderueshme, me qëllim që t’i jepet sa më shumë ‘seriozite’ këtij shërbimi që është konsideruar si i domosdoshëm”.

Burimet kanë shtuar për  “Gazetaatdheu.com” se, “gjatë dy muajve të izolimit të karantinës, mars-prill 2020, portali ‘e-Albania’ pati një fluks të lartë përdoruesit që kërkonin marrjen e lejeve për lëvizje, si dhe aplikimet e tjera të nevojshme për atë kohë. Por fluksi i madh i aplikantëve bëri që portali të dilte jashtë shërbimit në jo pak raste, si dhe të tregonte se nuk ishte parashikuar për kapacitete të tilla”.

Kjo gjë duket se ka detyruar AKSHI-n dhe “shokët” e kryeministrisë që të bëjne me shpejtësi modifikimet në këtë faqe webi, e cila shërben si platformë elektronike shërbimesh dhe dokumentesh.

Për këtë arsye, duket se fondi është paracaktuar të jetë në shumën e 469 milionë lekëve (të vjetër), ose “fondi limit: 46,900,000 (Dyzetë e gjashtë milionë e nëntëqind mijë) lekë pa TVSH.

E gjitha kjo nuk do të jetë asgjë tjetër vetëm se, pagesa që AKSHI-i pretendon t’i bëjë “me letra” një web-masteri (njeri që rregullon dhe mirëmban një faqe interneti), ose një kompanie mirëmbajtëse webi, për 2 vite (nga korriku i vitit 2020 deri në korrik të vitit 2022), e cila duhet të rregullojë ose shtojë në këtë platformë disa opsione të reja, si dhe të bëjë ruajtjen e saj nga sulmet e mundshme kibernetike (pirateria elektronike).

Por në një kohë që AKSHI me Fugën kanë paracaktuar të harxhojnë plot 469 milionë lekë nga paratë e taksapaguesve, po ku kujtojmë se një inxhinier webi për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një faqeje interneti paguhet deri në 5 mijë Euro në vit (më i miri). Le ta zëmë se nga kjo shumë për dy vite AKSHI me Fugën do të harxhojnë të paktën 10 mijë Euro… po gati 458 milionë lekët e tjera ku do të shkojnë??

Personi që drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karcanaj dhe Fuga kanë përzgjedhur si element zyrtar për t’u identifikuar në shkresat zyrtare tashmë “të kopsitura”, është një punonjës i Agjencisë me emrin Emirton Suli dhe me adresë kontakti në e-mail, “[email protected]”.

Fotografia e Emirton Suli

Pikërisht ky person, pra Suli, do të jetë “njeriu i kontaktit” ose “njeriu pritës” që do të marrë zyrtarisht ofertat e kompanive të interesuara për ofrimin dhe garantimin e këtij shërbimi, deri në datën 13 korrik 2020, ora 13:00, që do të jenë dokumente të dorëzuara në mënyrë elektronike.

Nga sa shikojmë në dokumentin e shpalljes së këtij tenderi, lloji i procedurës së prokurimit është “‘Procedurë e hapur’ (Elektronike)”, ndërkohë që objekti i kontratës thotë: “Mirëmbajtja e 89 shërbimeve elektronike në portalin qeveritar e-Albania”, dhe ka si numër reference “REF-61697-06-18-2020”.

Por burimet nga AKSHI thanë për “Gazetaatdheu.com” se ky tender edhe pse ka nisur procedurat zyrtare të tenderimit, ai në fakt është paracaktuar nga Fuga, i cili ia ka dhënë edhe atë, kompanisë që si pronar ka ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Kompania ‘Fastech’, ose ‘Intech plus’, është kompania që realisht ka nisur punën për mirëmbajtjen e ‘e-Albania’ dhe ka si pronar ish-ministrin Beqaj”,- kanë deklaruar burimet nga AKSHI për “gazetaatdheu.com”./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit