Vellai i Erion Veliajt mori 4.3 milionë euro nga biletat e Kanye West

Vellai i Erion Veliajt mori 4.3 milionë…

Një pagesë prej 400 milionë lekësh (rreth 4.3 milionë euro), e kryer nga qeveria për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, ka përfunduar në llogaritë e kompanisë “Redcloud”, emri i së cilës rezulton në një kontratë të sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në kuadër të hetimeve që lidhen me Arbër Veliajn.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, paraditen e 7 korrikut 2026, Ministria e Turizmit transferoi me procedurë urgjente fondin prej 400 milionë lekësh në favor të kompanisë “Redcloud”, e angazhuar prej vitesh në organizimin e eventeve dhe këtë herë përgjegjëse për koncertin e shumëdebatuar të Kanye West.

Pagesa u krye vetëm një ditë pasi, më 6 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi me Akt Normativ një fond të posaçëm nga Fondi i Emergjencave, me qëllim garantimin e zhvillimit të koncertit.

Po atë ditë, kryeministri Edi Rama u shfaq në kantierin ku po ndërtohej skena e koncertit, në shoqërinë e ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, raporton ‘BoldNews.al‘. Aty ai deklaroi publikisht për herë të parë se qeveria do të shpenzonte 400 milionë lekë për blerjen e biletave, duke argumentuar se fondi ishte i nevojshëm që “Shqipëria të mos turpërohej para turistëve të huaj”. Vendimi u zbatua menjëherë.

Ky qëndrim përbën një ndryshim të qartë nga deklaratat e kryeministrit në prill 2026, kur ai njoftoi për herë të parë se Kanye West do të mbante një koncert në Shqipëri në mesin e muajit korrik. Në atë kohë, Rama kishte garantuar se qeveria nuk do të shpenzonte asnjë qindarkë nga fondet publike për organizimin e aktivitetit.

“Redcloud” dhe lidhja me dosjen e Arbër Veliajt

Kompania “Redcloud” është themeluar në vitin 2011 dhe që prej vitit 2021 zotërohet nga Klodian Makashi.

Emri i saj është përmendur edhe në një dosje të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila lidhet me hetimet ndaj Arbër Veliajt, vëllait të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Hetimet ndaj Erion Veliajt nisën në pranverën e vitit 2024, ndërsa në shkurt 2025 ai u arrestua. Aktualisht ai ndodhet në gjykim për nëntë episode të dyshuara të korrupsionit pasiv, si edhe për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Paralelisht, SPAK po zhvillon një hetim të veçuar mbi rolin e Arbër Veliajt në një skemë të dyshuar të pastrimit të parave. Ai është pronar i kompanisë “Gogel”, e njohur për organizimin e eventeve kulturore dhe artistike.

Sipas hetuesve, në bazën e të dhënave të krijuar gjatë hetimeve rezulton se disa kompani private, të cilat kanë përfituar tenderë nga Bashkia e Tiranës, figurojnë njëkohësisht si kontraktore të kompanisë “Gogel”.

Më 17 prill 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) autorizoi kontrollin në ambientet e “Gogel”, me kërkesë të SPAK.

Gjatë këtij kontrolli, agjentët e BKH-së sekuestruan një sërë dokumentesh, mes tyre edhe një kontratë bashkëpunimi të lidhur në korrik 2024 ndërmjet “Gogel” shpk dhe “Redcloud” shpk.

Në procesverbalin e sekuestrimit është shënuar: “Business Cooperation Agreement, date July 2024”, në gjuhën angleze, lidhur ndërmjet Gogel Shpk dhe RedCloud Shpk, fletë 4 (katër).

Arbër Veliaj e kundërshtoi në gjykatë kontrollin e ushtruar në zyrat e kompanisë së tij, por në qershor të këtij viti Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e tij, duke lënë në fuqi sekuestrimin e të gjithë dokumentacionit, përfshirë edhe kontratën me “Redcloud”.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë të dhënë publike që të tregojë se kompania e Klodian Makashit është subjekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë, të dhënat e publikuara në portalin informativ “spending.data” tregojnë se “Redcloud” ka përfituar rreth 37 milionë lekë të reja nga Bashkia e Tiranës gjatë periudhës kur ajo drejtohej nga Erion Veliaj.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit