Si konflikti SHBA-Iran mund të ndikojë rëndë në ekonominë shqiptare

Si konflikti SHBA-Iran mund të ndikojë rëndë…

Rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ndërprerja e kontratave mund të dëmtojë ndjeshëm ekonominë shqiptare

Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në kuadër të tensioneve në Lindjen e Mesme, ka nisur të reflektohet negativisht edhe në ekonominë shqiptare. Nga sektori i energjisë te importet e drithërave e turizmi, pasojat potenciale janë të shumta dhe të ndjeshme.

Tregjet ndërkombëtare kanë reaguar menjëherë pas shpërthimit të tensioneve, ku çmimi i naftës ka shënuar rritje nga 10 deri në 13 për qind. Kjo pritet të ndiejë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në tregun shqiptar, ku lënda djegëse është ndër elementët më të ndjeshëm në zinxhirin ekonomik.

Përveç karburanteve, Shqipëria po përballet me sfida të shtuara në fushën e energjisë elektrike. Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë rritur ndjeshëm varësinë ndaj importeve energjetike. Çrregullimet në tregjet ndërkombëtare do të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët vendas.

Në raport me lëndët e para për industrinë, çdo ndërprerje e furnizimeve ose rritje e kostove të transportit do të ndikojë në zinxhirin prodhues vendas, duke rritur koston për bizneset shqiptare dhe në fund për qytetarët.

Një tjetër goditje pritet në sektorin e turizmit, ku pasiguria rajonale mund të sjellë anulime kontratash dhe rezervimesh, veçanërisht nga tregjet ndërkombëtare që janë të ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike.

Banka Botërore, në raportin e saj më të fundit për perspektivën globale, paralajmëron se përshkallëzimi i konflikteve aktuale – përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme – mund të çojë në një krizë të re globale çmimesh, me pasoja afatgjata për ekonomitë e brishta si ajo shqiptare.

Varësia e lartë e Shqipërisë nga importet, qoftë për energji, qoftë për mallra ushqimore apo lëndë të para, e bën vendin tepër të ekspozuar ndaj çdo luhatjeje të tregjeve ndërkombëtare. Nëse përshkallëzimi vazhdon, vendi do të përballet me një valë të re rritjeje çmimesh dhe trysnie ekonomike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit