Si në filma.../ Përpiqet t'i shpëtojë postbllokut të policisë, përplas makinën, plagosen sirianët

Si në filma…/ Përpiqet t’i shpëtojë postbllokut…

Tentativa e një shoferi të guximshëm që bënte trafik rrefugjatësh, për t’i shpëtuar policisë, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi.

Nga aventura e shoferit të furgonit, katër shtetas sirianë kanë mbetur të plagosur lehtë pas aksident automobilistik në aksin rrugor Zvezdë-Podgorie.

Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e fshatit Podgorie në vendin e quajtur “Lapidari”.

Burimet bëjnë te ditur se, një mjet brenda të cilit udhëtonin shtetas të ardhur nga vendet me konflikt, ka qenë duke udhëtuar nga Bilishti në drejtim të kryeqytetit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë në hyrje të qytetit të Bilishtit.

Në kushte të tilla policia, në bashkëpunim me “FRONTEX”, është vënë në ndjekje te tyre.

Drejtuesi i mjetit për t’i shpëtuar policisë ka zgjedhur aksin rrugor nga Zemblaku, për të kaluar më pas në aksin nacional Korçë-Pogradec.

Në kryqëzimin e fshatit Podgorie ishte vendosur një tjetër postbllok policie, i cili kishte bllokuar pjesën më të madhe të rrugës.

Në të tilla rrethana, drejtuesi i mjetet me shtetasit e huaj gjatë manovrës për të shmangur mjetin e policisë, është përplasur me një mjet tjetër, duke sjellë edhe përmbysjen e mjetit.

Për pasoje plagosjen e 4 shtetasve sirianë. Policia në vendin e ngjarjes po heton shkaqet e aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

“Më datë 26.07.2020, rreth orës 08:45, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, tek vendi i quajtur “Lapidari i Blacës”, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin M. Ç., rreth 19 vjeç, banues në Durrës, me një mjet tjetër furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. J., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec.

Për pasojë janë dëmtuar lehtë 4 shtetas të huaj, të cilët udhëtonin me mjetin tip “Audi”, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Pogradecit.

Mjeti tip “Audi”, me të cilin po transportoheshin 7 shtetas të huaj, nuk i ka ndaluar patrullës së Policisë Rrugore, Policisë Kufitare dhe shërbimeve të FRONTEX-it, të cilët janë vënë në ndjekje të tij.

Me dy drejtuesit e mjeteve po kryen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit si edhe rrethanave të ngjarjes”.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit