Dosja e SPAK/ Të dhënat e Policisë përfunduan te Agasi, çfarë zbuluan hetimet

Dosja e SPAK/ Të dhënat e Policisë…

Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar disa javë më parë.

Në fokus të hetuesve janë edhe të dhënat e nxjerra nga disa telefona, të cilat, sipas materialeve të dosjes, dyshohet se kanë përfunduar në duart e Agasit pasi ishin përpunuar dhe analizuar nga Policia Shkencore.

Sipas SPAK, informacioni nuk ka mbetur vetëm brenda strukturave që kanë kryer ekspertimin. Në dosje pretendohet se aktet e ekspertimit të pajisjeve telefonike i janë vënë në dispozicion Agasit nga Fatjon Kalluci, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore.

Kalluci dyshohet se ka nxjerrë dhe përcjellë dokumentacionin që përmbante rezultatet e analizimit të telefonave në laborator. Pikërisht mënyra se si këto materiale kanë dalë nga institucioni dhe kanë mbërritur te Agasi është një nga elementët që po verifikon aktualisht SPAK.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë gjithashtu se çfarë informacioni përmbanin materialet, si janë siguruar ato dhe nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në përcjelljen e të dhënave.

Në kuadër të hetimit, Fatjon Kalluci u arrestua nën dyshimin për nxjerrje të dokumenteve sekrete. Në pranga përfundoi edhe Embro Sulejmani, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.

Sipas akuzës, ai dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në disa prej ambienteve ku Agasi ka qëndruar ose ka lëvizur gjatë periudhës së arratisë.

Ndërkohë, ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, është vendosur në masën e arrestit shtëpiak. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në arrati, duke i përcjellë informacione të klasifikuara.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Hyseni po hetohet për dyshimet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve sekrete”.

Hetimi i SPAK lidhet edhe me dosjen e AKSHI-t, ku prokuroria dyshon se Ergys Agasi kishte ngritur një grup kriminal që vepronte brenda këtij institucioni.

Në materialet hetimore përmenden edhe komunikime mes Vlora Hysenit dhe Agasit. Sipas prokurorëve, kontaktet mes tyre kanë vijuar edhe gjatë periudhës kur biznesmeni ndodhej në arrati.

SPAK po vijon hetimet për të zbardhur të gjithë zinxhirin e komunikimeve dhe mënyrën se si informacionet e klasifikuara dhe materialet e ekspertimit kanë qarkulluar jashtë strukturave shtetërore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit