Si po dështojnë spitalet shqiptare me virusin

Si po dështojnë spitalet shqiptare me virusin

Nga Klodian Tomorri

Fakti që politikanët dhe biznesmenët, të cilët preken nga virusi, shkojnë të kurohen jashtë shtetit, është dëshmi e qartë se sistemi ynë shëndetësor nuk e kuron dot sëmundjen.

Ata që e kanë provuar thonë se arsyet janë të shumta. Ka mungesë pajisjesh, ka mungesë personeli, por mbi të gjitha ka edhe mungesë njohurish.

Të treja janë treguesi më i mirë se si është menaxhuar sistemi shëndetësor publik. Ose më saktë se si është degraduar sistemi shëndetësor publik.

Por tragjik është fakti se e njëjta gjë ndodh edhe në spitalet private të vendit. Edhe ato janë të paafta për ta kuruar virusin.

Ka histori plot në Shqipëri, që njerëzit janë nisur nga spitalet private me urgjencë jashtë se këtu kanë qenë duke vdekur. Dështim tregu në këto përmasa zor se gjen kund.

Ajo që nuk kuptoj është se pse qeveria nuk dërgon një grup të vogël mjekësh disa ditë pranë një spitali në Vjenë, Milano apo Mynih.

Të mësojnë protokollet atje, të shohin si e kurojnë spitalet e Europës virusin dhe pastaj të kthehen të trajnojnë edhe mjekët e tjerë këtu.

Kjo nuk kërkon as para, as kohe dhe as sakrifice. Nuk kurohet virusi me këshillat e Piperos.

Së dyti, morën 130 miliardë lekë ose 1.1 miliardë euro borxh vetëm për këtë vit.

Kanë çuar vetëm 18 milionë euro për shëndetësinë. As 1.6%.

Vendi përballet me krizë shëndetësore.

Qeveria rrit borxhin ne nivele të pashënuara më parë me sebepin e krizës shëndetësore. Por shëndetësia merr vetëm 1.7 për qind të huamarrjes.

Ah po. Kemi koncesionet. Ndërkohë atyre që nuk kanë mundësi të shkojnë jashtë, qeveria u ka lënë Zotin.

/Gazetaatdheu.com/ 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit