Si po ndryshojnë takimet në Zyrën Ovale nën mandatin e dytë të Donald Trump-it

Si po ndryshojnë takimet në Zyrën Ovale…

Sjellja e re e Trump-it në Zyrën Ovale i ka vënë në siklet liderët botërorë, që tani përgatiten për “teatër politik” dhe jo diplomaci klasike

Takimet e udhëheqësve të huaj në Shtëpinë e Bardhë, dikur simbole të respektit diplomatik dhe ndjeshmërisë ndërkombëtare, kanë marrë një kthesë dramatike nën rikthimin e Donald Trump-it. Episodi i fundit me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shërbyer si paralajmërim për të tjerët, kur Trump-i e qortoi publikisht për “mungesë mirënjohjeje” dhe kërcënoi hapur ndihmën ndaj Ukrainës, duke shndërruar takimin në një debat të tensionuar para mediave.

Zhvillime të ngjashme u panë edhe me Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, dhe kryeministrin kanadez Mark Carney, duke krijuar bindjen se vizitat në Zyrën Ovale nuk janë më thjesht takime zyrtare, por momente spektakli me rregulla të reja. Diplomatë të lartë kanë nisur t’i krahasojnë këto takime me ring boksi apo skena televizioni, ku liderët duhet të përgatiten për batuta, provokime dhe një lloj “jiu-jitsu diplomatik.”

Ish-ambasadori francez në SHBA, Gérard Araud, tregon se çdo kritikë e bërë në sy të Trump-it është rrezik serioz për marrëdhënien me të. Ai thekson se Trump-i e ka të pamundur të pranojë që gabon dhe kjo e kthen çdo dialog në një sfidë personale. Madje, edhe aleatët më të afërt, si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, janë më të kujdesshëm, duke pranuar kushte të forta vetëm për të shmangur një konflikt publik.

Sipas Gabriel Landsbergis-it, ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Trump-in e sheh çdo takim si një shfaqje ku ai duhet të dominojë. Ai e quan këtë sjellje “liderizëm alfa”, që nënkupton nënshtrim të të tjerëve dhe zhvendosje të vëmendjes nga çështjet reale. Edhe diplomatë si Arturo Sarukhán dhe Joe Hockey pranojnë se Trump i përdor këto momente për negociata të forta, tarifa të njëanshme dhe vendime të nxituara, pa respekt për protokollet tradicionale.

Zyra Ovale, e mbuluar me detaje ari dhe e dizenjuar sipas shijeve të Trump-it, është bërë më shumë skenë sesa hapësirë pune. Araud thekson se pa qasje personale te Trump-it apo familjarët e tij, çdo kërkesë është e destinuar të refuzohet. Ndryshe nga administratat e mëparshme, ku çdo takim përgatitej me muaj dhe kishte qëllim ndërtimin e besimit reciprok, tani çdo gjë varet nga humori i presidentit.

Ish-diplomatët përmendin shembuj nga administratat e kaluara, ku marrëdhëniet ndërtoheshin përmes vizitave simbolike, shkëmbimesh kulturore dhe respekti të ndërsjellë. Ata shprehin shqetësim se nën Trump-in, këto momente janë zëvendësuar me ankth, tejet teatrale dhe sulme të pamatura. Gjithçka ndodh para kamerave dhe lidhet me perceptimin publik, jo me politikën e jashtme afatgjatë.

Përballë këtij realiteti, liderët e huaj ndihen të detyruar të aktrojnë, të shmangin çdo përplasje dhe të lavdërojnë Trump-in, edhe kur nuk bien dakord me të. Araud-i madje e përshkruan sjelljen ndaj Trump-it si “stil koreano-verior”, ku duhen ofruar lavdërime të shumta dhe t’i lihet presidentit hapësirë të flasë pa ndërprerje. Në fund, ata që e vizitojnë e kuptojnë se nuk po hyjnë më në një institucion demokratik, por në një skenë politike të krijuar për spektakël.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit