Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës. Në pritën e organizuar ndaj efektivëve humbi jetën rreshteri dhe komandanti i Stacionit Policor në Zveçan, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës. Një ditë më pas, më 25 shtator, ai u përcoll për në banesën e fundit.
Pas vrasjes, Afrim Bunjaku u shpall “Hero i Kosovës” nga Presidentja Vjosa Osmani, ndërsa asokohe ndjekësit e JOQ Albania e shpallën “Hero i Muajit Shtator”. Në shenjë mirënjohjeje për guximin dhe sakrificën e tij, trofeu iu dorëzua familjes gjatë një vizite ngushëllimi nga stafi i JOQ Albania.
Gjatë asaj vizite, xhaxhai i Afrim Bunjakut kujtoi përkushtimin e tij ndaj uniformës dhe detyrës. “Afrimi gjithmonë ka qenë i gatshëm me mbrojt atdheun. […] Ka qenë 22 vite i veshur me uniformë të policisë në mbrojtje të territorit dhe të popullit. Gjithmonë mbronte shokët”, u shpreh ai, duke e kujtuar nipin si një polic të përkushtuar që e kreu detyrën deri në fund.