SI SOT/ Historia e Meritës, nga mbledhëse kanoçesh në biznesmene me dy kompani

SI SOT/ Historia e Meritës, nga mbledhëse…

Sot do të rikujtojmë një nga historitë më tronditëse të skemës së kompanive guaskë, ku emri i Merita Hajdarit, një gruaje që jetonte duke mbledhur kanoçe për të mbijetuar, u përdor si pronare e një kompanie që dyshohej se shërbente për qarkullimin e faturave fiktive në skemën e inceneratorëve. Përveç kompanisë “Elvis 03”, dokumentet zyrtare tregonin se Hajdari figuronte edhe pronare me 100% të aksioneve të kompanisë “ELJADI” shpk, me NIPT L07619302L, ndonëse ajo e ka mohuar gjithmonë se kishte blerë ndonjë kompani apo kishte dijeni për aktivitetin e saj. Dokumentet përmbanin gjeneralitetet, numrin personal dhe kartën e identitetit të saj.

“ELJADI” shpk u regjistrua në vitin 2010 nga Drita Frangaj. Pas disa vitesh pa aktivitet, kompania rifilloi punën në vitin 2014 dhe deklaroi rreth 218 milionë lekë shitje. Më 24 korrik 2014, Frangaj autorizoi Vjollca Ymerajn të kryente veprime pranë QKB-së. Në gusht 2016 kompania pezulloi aktivitetin, ndërsa në janar 2017, me një vendim të hartuar me shkrim dore, rezulton se Frangaj ia shiti 100% të aksioneve Merita Hajdarit për vetëm 100 mijë lekë. Megjithatë, menjëherë pas shitjes, Frangaj u autorizua nga Hajdari të vazhdonte të kryente veprime në emër të kompanisë, duke ngritur dyshime se ndryshimi i pronësisë ishte vetëm formal.

Në skemë u përfshi edhe Agim Dema, i cili rezulton i autorizuar nga Merita Hajdari për të kryer veprime në emër të “ELJADI” shpk pranë QKB-së. Ndërsa në letra pronare figuronte një grua që jetonte duke mbledhur kanoçe, dokumentet e kompanisë administroheshin nga persona të tjerë. Aktiviteti i kompanisë vijoi deri në prill 2017, ndërsa në vitin 2020 ish-pronarja Drita Frangaj u dënua me 1 vit e 8 muaj burg për evazion fiskal. Rasti i Merita Hajdarit mbetet një nga shembujt më domethënës të dyshimeve se persona në kushte të vështira ekonomike janë përdorur si pronarë fiktivë në skema të dyshuara mashtrimi dhe evazioni fiskal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit