Si u plagos zyrtari i PD-së nga kriminelët e lidhur me socialistët? Basha tregon ‘muskujt’!

Si u plagos zyrtari i PD-së nga…

Kavaja është kthyer në një tjetër pikë të nxehtë në këtë javë të fundit të fushatës elektorale, për shkak të plagosjes me armë zjarri të një zyrtari lokal të Partisë Demokratike, brenda zyrës së kësaj force politike pasditen e djeshme.

Bledar Okshtuni u qëllua me plumb në këmbë, teksa ndodhej brenda zyrës elektorale të PD-së-, ndërkohë që autorët duket se janë të lidhur me partinë rivale. Edhe pse ngjarja ka ndodhur në një zonë të njohur të Kavajës, dhe në një moment të ditës, kur Policia do të duhej të ishte në patrullim, asnjë prej autorëve nuk është arrestuar, ndërsa kryesori i tyre është një personazh i njohur i botës së krimit.

Ndriçim Jonuzi, është personi që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të zyrtarit të PD-së, i dënuar më parë për vrasje dhe për vepra të tjera penale, edhe në shtetin italian. Ai ka qenë në shoqërinë e shtetasve Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, në momentin kur ka kryer plagosjen, të cilët po ashtu janë shpallur në kërkim nga Policia.

Shtylla bëjnë me dije burimet është drejtor i Policisë Bashkiake në Kavajë, ndërkohë që mbi të tre personat e shpallur në kërkim rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim.

Mësohet se sherri me Okshtunin ka nisur fillimisht nga Shtylla dhe Troplini, të cilët e kanë dhunuar dekmokratin me grushta, dhe më pas Jonuzi ka shtirë me armë ndaj tij, dhe është larguar qetësisht nga vendi i ngjarjes me një mjet foristradë me xhama të zinj.

Në ndryshim nga sa tentojnë që të zbehin ngjarjen socialistët duke thënë se sherri kishte ndodhur për një vend parkimi, demokratët theksojnë se ky ishte një sulm qartësisht politik, dhe PS tregoi dhe njëherë tjetër se ka lidhje të forta me kriminelët, të cilët shoqërohen dhe nga drejtorët e tyre.

Situata gjatë ditës së sotme në Kavajë duket më e qetë, ndërkohë që gazetari i Fax News Fatjon Gjinaj raporton se kreu i PD-së Lulzim Basha do të ketë një takim elektoral me mbështetësit, pak metra nga vendi ku ndodhi plagosja e të riut, edhe si një shenjë e mostrembjes nga kundërshtari.

Basha mbërriti edhe dje në vendin ku ishte kryer plagosja, dhe kërkoi nga qytetarët që të ruanin qetësinë, dhe reagimin e tyre ta bënin ditën e dielë me votën e tyre, ndërkohë që pas tij do të mbërrinte dhe presidenti Meta, i cili drejtoi mesazhe të forta edhe ndaj Policisë së Shtetit dhe drejtorit Ardi Veliu.

Në një reagim në Twitter, kryeministri Edi Rama dënoi aktin e rëndë, dhe kërkoi që drejtësia të vepronte, por kërkoi nga Lulzim Basha dhe Ilir Meta që të mos i frynin një tensionimi të mëtejshëm të situatës.

”Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”, shkruante Rama në postimin e tij në rrjetet sociale pas ngjarjes së rëndë. (Lexo edhe ketu) 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit