Sipërmarrësi italian vdes në Tiranë pas operacionit për zvogëlimin e stomakut

Sipërmarrësi italian vdes në Tiranë pas operacionit…

Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga Camposampiero në Itali, ndërroi jetë më 22 dhjetor në Shqipëri pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut.

Pas viteve të tëra dietash të pasuksesshme, Ferro kishte vendosur të ndiqte një zgjidhje afatgjatë për humbjen e peshës dhe i ishte drejtuar një klinike private në Milano, e cila i sugjeroi një operacion në Tiranë, ku çmimi ishte më i ulët se në Itali. Operacioni u planifikua për 18 dhjetor në një klinikë partnere të asaj milaneze, pavarësisht se pacienti vuante nga diabeti tip II dhe pesha e tij ishte 108 kilogramë.

Sipas familjes, analiza dhe procedurat standarde para-operative nuk u respektuan, ndërsa udhëzimi i vetëm ishte që pacienti të mos ushqehej që nga mbrëmja e një dite më parë. Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor së bashku me bashkëshorten e tij dhe u operua ditën pasuese. Më 22 dhjetor, ai paraqiti probleme me frymëmarrjen dhe zemra e tij pushoi së rrahuri.

Prokuroria e Padovës ka regjistruar në listën e të dyshuarve mjekun kirurg Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Të hënën në Padova pritet të kryhet autopsia e trupit të Massimos nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli.

Familja e tij, përmes avokatëve Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti, kërkon të sqarohet shkaku i vdekjes. “Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye më në shtëpi,” shprehen bashkëshortja Romina dhe fëmijët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit