“Sistemi i drejtësisë jo efektiv”, edhe Ruçi i pakënaqur

“Sistemi i drejtësisë jo efektiv”, edhe Ruçi…

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër drejtuesve të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit në vend për zbatimin e legjislacionit për të parandaluar dhunën ndaj grave.

Letra i është drejtuar Naureda Llagamit, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gent Ibrahimit, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Olsian Çelas, Prokuror i Përgjithshëm dhe Ardi Veliut, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Kur pritej që Kryeparlamentari të shprehte shqetësime lidhur me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, apo faktit se SPAK nuk po heton korrupsionin në nivele të larta dhe është angazhuar me korrupsionin me 1 mijë lekë të policëve, Ruçi ka zgjedhur si shqetësim rastet e dhunës ndaj grave. Jo se kjo nuk është një çështje sensitive, por numri dy i shtetit, sipas Kushtetutës, duhej të ishte më i preokupuar lidhur me çështjet që kushtëzojnë hapjen e negociatave, dhe që lidhen pikërisht me mosfunksionin e drejtësisë.

Sipas vëzhgimit të Kuvendit, thekson Ruçi, sistemi i drejtësisë, përfshirë këtu policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale në sistemin e drejtësisë penale, nuk kanë qenë efektivë me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave, si një nga format mbizotëruese të dhunës, është një dukuri globale që prek të gjitha vendet, shoqëritë, komunitetet fetare dhe etnike. Parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm, të barasvlershëm dhe përfshirës, si dhe një vlerë dhe objektiv i rëndësishëm i qytetërimit të sotëm.

Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive, të dhënat për rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tregojnë se dhuna është ende e pranishme dhe shfaqet në forma të ndryshme deri tek më ekstremet, ku më së shumti viktima janë gratë dhe fëmijët. Sipas raportit të GREVIO, dobësitë më të mëdha që prekin mekanizmat e referimit kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të duhur të urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes nga përmbarimi, përgjigjet e papërshtatshme nga sistemi i gjykatave dhe një përfshirje e pamjaftueshme e profesionistëve të shëndetit, përfshirë këtu mjekët ligjorë”, thekson ai.

Sipas letrës, Kuvendi vëren se sistemi i drejtësisë (policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale në sistemin e drejtësisë penale) nuk ka qenë efektiv sa duhet lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore të Kodit Penal për dënimin e dhunuesve dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat.

Sipas tij, shpejtësia dhe respektimi i afateve, përbën një element thelbësor të gjykimit për urdhrat e mbrojtjes, mosrespektimi i të cilave sjell humbjen e kuptimit të ligjit kundër dhunës në familje dhe mund të vërë në rrezik viktimat.

Burimi: Boldnews

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit