Situata e rendit/ Ministri Lleshaj fajëson mediat: "Errësojnë situatën. Kriminaliteti në vend, rënie me 50%"

Situata e rendit/ Ministri Lleshaj fajëson mediat:…

Menjëherë sapo mbaroi karantina 2-mujore, në Shqipëri nisën me vrull krimet dhe vrasjet e tipit mafioz, ndërkohë që shumë skandale të tjera kanë vijuar edhe gjatë kohës kur pjesa më e madhe e shqiptarëve qëndronin mbyllur në shtëpi.

Në të njëjtën kohë të gjithë qytetarët u mësuan që të shikonin edhe në ditët e izolimit me “arrest shtëpie”, akte dhune barbare të uniformave blu, që gjetën terrenin e përshtatshëm për të shfaqur gjithë brutalitetin e tyre ndaj taksapaguesve.  

Por me sa duket kjo situatë nuk i bën aspak përshtypje ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, i cili sot në në fjalën e tij në parlament, i thirrur për interpelancë, prezantoi një situatë shumë “rozë” në vend.

Ministri Lleshaj, deklaroi ndryshe nga sa flasin faktet se kriminaliteti në Shqipëri ka pësuar rënie, duke thënë se vetëm disa media e fryjnë situatën. Për ministrin e Brendshëm, Shqipëria është afër mesatares së vendeve të BE-së për sa i përket situatës së statistikave të kriminalitetit.

“Disa media e vizatojnë situatën në një mënyrë shumë të errët. Nëse i referohemi disa mediave, i bie që në mos të vijmë këtu fare. Por, e refuzoj faktin që në Shqipëri ka rritje krimi. Në Shqipëri do të ketë ulje kriminaliteti për sa kohë qeverisim ne. Sot media ka kushdo, madje edhe krimi ka media. Në konkluzionet që arrini për Shqipërinë, të keni kujdes sepse vendi ynë nuk është aq e errët sa bëhet nga disa media, që ndoshta kanë interes për ta bërë këtë punë. Policia po bën të mundur rritjen e sigurisë kudo në vend”,- deklaroi Lleshaj në Kuvend.

Ministri Lleshaj u shpreh më tej se, OFL-ja ka sekuestruar shumë pasuri që janë vendosur në mënyrë të paligjshme.

“Krimi i organizuar është model suksesi e ky sukses i tillë duhet që të përfundojë.  Pasuria përmes krimit do të goditet. Instrumentet tashmë janë të tilla, që sekuestron pasuritë kriminale. Lufta ndaj mbjelljes së kanabisit është zhvilluar në atë mënyrë, sa ka sukses tashmë të matshëm e të certifikuar tani. Kjo bëhet në kohën që Shqipëria po hap negociatat dhe vijon procesin integrues për në BE”, ka vijuar më tej Lleshaj duke mos i hequr superlativat për punën e tij.

I bindur se vetëm ai kishte të drejtë, duke shpërfillur faktet si dhe duke fajësuar mediat për “errësim” të situatës, ministri i Rilindjes, ka theksuar se, “kemi minus 50 për qind krime në vend”./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit