“Situata është e qetë, por kjo nuk duhet të na vërë në gjumë. Virusi qarkullon”, mjeku Pipero flet nga Vlora

“Situata është e qetë, por kjo nuk…

Ditën e sotme mjeku i njohur, Pëllumb Pipero ishte në qytetin e Vlorës, nga ku ka folur për situatën aktuale të koronavirusit në vendin tonë. Ai tregoi se kishte shkuar në Vlorë për një konsultë që kishte me një koleg të tijin, për një të sëmurë, i cili nuk ishte me koronavirus.

Pipero theksoi edhe një herë se qytetarët shqiptarë nuk duhet ta ulin vegjilencën, përderisa koronavirusi vijon të jetë i zgjuar në Shqipëri dhe rajon, duke kërkuar që të ruajnë distancimin social dhe të respektojnë rregullat e vendosura nga institucionet.

“Situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, ulje të qëndrueshme. Edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara, që po shtrohen në spital që janë 2-3 në ditë, herë pa asnjë rast fare, edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitivë që dita e fundit e ka qenë 9, 7, 6 sot. Lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë, tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur të shëruar. Situata është mjaft e qetë por kjo qetësi nuk duhet të na ulë as vigjilencën, nuk duhet të na vërë as në gjumë, nuk duhet të na ulë as kujdesin. Ende virusi qarkullon, pavarësisht se me ritëm të ulët dhe ndofta edhe me virulencë të ulët por ende qarkullon. Sa kohë virusi qarkullon neve duhet që medoemos të respektojmë ato masa të rëndësishme shumë për këtë fazë të dytë që është faza e hapjes graduale por e qëndrueshme. Do të thotë që ende duhet të kemi kujdes, sidomos në vende publike. Qytetarët të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza, higjiena e duarve, larja sa më shpesh, janë disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi”-tha Pipero, shkruan BW.

Sipas tij, hapja rajonale është një hapje e rekomanduar edhe nga OBSH-ja por edhe  strategjitë e vendeve të tjera.

“Hapja rajonale, atje ku kemi 2-3 javë pa qarkullim virusi nuk duhet të kemi frikë. Pra të lejohet qarkullimi i njerëzve, automjeteve pse jo, hapja e lokaleve. Normalisht sipas udhëzimeve. Kujdesi është të ruajmë një lloj distance fizike. Të mos bëhemi grumbull, të mos jemi më shumë se 2 veta mundësisht, të ruajmë një distancë 1 -1.5 metër. Kur hyjmë në mjedise publike të vendosim një maskë, të tregojmë kujdes për duart, t’i lajmë sa më shpesh. Të ecim, të ekspozohemi në diell është një gjë shumë e mirë, të pimë lëngje sa më shumë. Por distancomi fizik është i nevojshëm për sa kohë virusi qarkullon”, deklaroi mjeku i njohur.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit