Situata jashtë kontrolli në Greqi: Flakët i afrohen Athinës, digjen banesa e pyje

Situata jashtë kontrolli në Greqi: Flakët i…

Përhapja e zjarreve në Greqi po merr përmasa gjithnjë e më dramatike. Një nga vatrat më të rrezikshme është ajo në Porto Germeno, në perëndim të Atikës, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë afruar në mënyrë alarmante pranë zonave të banuara, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime emergjente dhe të mobilizojnë qindra forca në terren.

Deri më tani nuk raportohen të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas një bilanci paraprak të autoriteteve vendore, mes 100 dhe 150 banesa janë përfshirë nga flakët ose janë shkatërruar.

Në operacionin gjigant të shuarjes janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës, ekipe të specializuara për zjarret pyjore, vullnetarë dhe mbi 130 mjete zjarrfikëse. Mbështetje kanë ofruar edhe ekipe nga Franca dhe Rumania, në kuadër të mekanizmit europian të mbrojtjes civile.

Nga ajri po operojnë 19 avionë dhe 11 helikopterë, por ndërhyrja është vështirësuar ndjeshëm nga erërat e forta, që në disa zona kanë arritur deri në shtatë ballë, duke penguar hedhjen e ujit mbi vatrat aktive.

Flakët kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha pyjore, ndërsa qindra vatra të vogla vazhdojnë të mbeten aktive. Autoritetet paralajmërojnë se ato mund të riaktivizohen dhe të shkaktojnë përhapje të reja gjatë orëve të natës.

Gjatë kësaj jave, Greqia është përballur me dhjetëra zjarre të mëdha. Vetëm në ishullin e Kretës, sipas të dhënave satelitore, janë djegur rreth 45 mijë dynymë tokë.

Për shkak të rrezikut ekstrem nga zjarret, rajonet e Atikës, Viotisë dhe Evias janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit, të njohur si “Red Code”. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë menjëherë urdhrat e evakuimit dhe çdo njoftim të lëshuar nga shërbimet e emergjencës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit