
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 58 vatra zjarri në të gjithë vendin, me Tiranën dhe Fierin si zonat më të goditura nga flakët
Shqipëria po përballet me një situatë të përkeqësuar zjarresh, ku vetëm gjatë ditës së fundit janë regjistruar 58 vatra në territorin kombëtar. Sipas raportimeve zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes, njëra nga këto vatra, ajo në Markatomaj të bashkisë Lezhë, vijon të mbetet aktive.
Zjarri në fshatin Markatomaj ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur. Edhe pse rreth orës 05:45 të mëngjesit u izolua nga katër automjete zjarrfikëse dhe ndihma e banorëve, era ka bërë që trungjet e djegura të vetëndizen sërish, duke vështirësuar kontrollin e plotë të flakëve.
Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Tiranës, me 12 vatra të identifikuara në kryeqytet, si dhe në zonat e Kavajës dhe Rrogozhinës. Ndër rastet më të ndjeshme ishte ai pranë shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli”, ku fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
Në qarqet e tjera, situata është menaxhuar më me sukses. Në Fier janë shuar 8 vatra, kryesisht në shkurre e bimësi, ndërsa në Lezhë, Gjirokastër, Berat, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Elbasan raportohen gjithsej 36 vatra të neutralizuara.
Sipas të dhënave zyrtare, flakët kanë shkaktuar djegien e rreth 32 hektarëve me pemë frutore dhe lisnajë, duke dëmtuar rëndë florën në disa zona. Në ndërhyrjet e kryera janë angazhuar 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale si dhe një helikopter ushtarak, por këto ndërhyrje nuk kanë pasur efektin e duhur teksa flakët kanë përparuar në shumë zona.
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron një nivel të lartë rreziku për zjarre për ditën e sotme në qarqet Tiranë, Fier, Lezhë dhe Durrës, ndërsa për pjesën tjetër të vendit niveli mbetet i moderuar.
Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës, duke kërkuar që çdo sinjal për zjarr apo tym të raportohet menjëherë pranë strukturave lokale të emergjencave civile.