Situata me zjarret në vend vijon të mbetet shqetësuese, me 13 vatra të evidentuara në të gjithë territorin, nga të cilat 10 vijojnë të jenë aktive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, situata më e rënduar paraqitet në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, ku vijojnë operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Në Lurë po operojnë rreth 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë, të mbështetur nga dy automjete zjarrfikëse dhe dy avionë “Air Tractor”. Ndërhyrja ka bërë të mundur kontrollin e zjarrit pranë banesave, por gjatë katër ditëve janë djegur rreth 300 hektarë pyje.
Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të flakëve.
Në Malin e Dajtit, operacioni vijon me 9 forca zjarrfikëse dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në zonat e Priskës dhe Farkës po operojnë 30 forca zjarrfikëse me 6 mjete.
Ndërhyrja nga toka dhe ajri ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të situatës në Krujë, ndërsa vijon puna për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrave.
Vatra aktive, por pa rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, raportohen edhe në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës.
Autoritetet vijojnë operacionet nga toka dhe ajri për monitorimin, izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive në të gjithë vendin.