Situata në Kosovë drejt normalizimit të plotë, vendoset për heqjen e orës policore

Situata në Kosovë drejt normalizimit të plotë,…

Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot kanë mbajtur një takim virtual lidhur me gjendjen me pandeminë, ndërsa nga ky takim u bë e ditur se Vitia është pajtuar që të hiqet ora policore, vendim ky që më pas duhet të merret edhe në Qeverinë e Kosovës.

Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i komunave të Kosovës tha për Telegrafin se kanë kërkuar nga ministri lehtësimin e masave që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik lokal.

“….Jemi pajtuar që të hiqet ora policore, po, vetëm duhet miratim nga qeveria, si dhe lehtësira të tjera, që i kemi kërkuar si AKK”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ibrahimi sot gjatë ditës tha për Telegrafin se një ditë më parë kanë qenë në kontakt me kryetarët e komunave dhe kanë kërkuar rekomandimet e tyre.

“Ata kanë kërkuar largimin e kufizimit të lirisë së lëvizjes, pastaj të jetë prioritet vaksinimi sa më i shpejtë i popullatës dhe të mënjanohen masat që mund të kenë ndikim negativ në ekonomi”, tha Ibrahimi.

Ai më tej shtoi se diaspora është një infuzion jashtëzakonisht i madh për ekonominë në Kosovë dhe së shpejti fillon ardhja e tyre.

Sipas Sazanit, kryetarët e komunave besojnë se masat që mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit duhet të largohen pasi numri i rasteve me coronavirus po bie.

Ai tha se nëse eventualisht ndryshon situata me pandeminë dhe ka rritje të numrit të të infektuarve, atëherë situata mund të rivlerësohet dhe të veprohet në raport me të.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit