Prokuroria e Elbasanit ka publikuar detaje nga hetimi për skandalin e korrupsionit në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Ciklit të Ulët. Më 1 nëntor, është regjistruar procedimi penal për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pas një denoncimi të qytetarit A.Ll., që kishte raportuar pagesa për të kaluar një studente në provimet e vjeshtës.
Pamjet filmike janë administruar nga Prokuroria, e cila më pas ka kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve dhe ka sekuestruar dokumentacionin në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Prokuroria dyshon për përfshirjen e shtetasit G.H. dhe të tjerë në korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
Arrestimet përfshijnë pedagogët Monika Hodaj, Beatriçe Gani, Florinda Tarusha, Adrian Shingjergji, Ornela Bilali dhe Zyhra Gripshi, të cilët dyshohen për përfshirje në korrupsion dhe shpërdorim detyre. Një tjetër pedagoge, Edlira Gugu, është ende në kërkim.
Pedagogët e arrestuar mbulojnë lëndë si ‘Edukimi gjinor’, ‘Të mësuarit nëpërmjet lojës’ dhe ‘Puna me familjen’. Gjykata ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për të gjithë të dyshuarit e përfshirë, ndërsa hetimi vazhdon.
Emrat e pedagogëve të pezulluar dhe të arrestuar:
- Ornela Bilali, 50 vjeçe, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
- Zyhra Gripshi, 37 vjeçe Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
- Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
- Beatriçe Gani, 58 vjeçe Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
- Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Lënda: Filozofi e edukimit.
- Monika Hodaj, 49 vjeçe, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
- Gazmend Hodaj, 59 vjeç, sekser
Në kërkim:
- Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë.