Skandal me 'letrat' e pronave të Vlorës, 1500 dosje vijnë në Tiranë të 'kopsiten' nga Tan Lame

Skandal me ‘letrat’ e pronave të Vlorës,…

Qeveria “Rama” i ka “varur ujkut mëlçitë në qafë” duke lënë dosjet e pronave të bregdetit në dorë të “mjeshtrit”, Artan Lame.

Kjo po bëhet së fundi edhe me dosjet e pronave në bregdet, më konkretisht me dosjet e Vlorës. Këto dosje mësohet se kanë filluar të transferohen në Tiranë, nën justifikimin e “zgjidhjes” së ngërçit administrativ.

“Gazetaatdheu.com” mësoi se, mëngjesin e të enjtes, plot 1500 dosje u nisën drejt Tiranës me urdhër të Tan Lames dhe jo me destinacion depozitimin në Zyrat e Shërbimit të Kadastrës, por në zyrat e vet drejtorit Lame.

Nga sa u mësua, këto dosje janë të pronave më të lakmuara të brigjeve të Vlorës, por me probleme të rënda ligjore, të krijuara në 15 vitet e fundit dhe të mbartura edhe me plot konflikte.

Pikërisht për këtë, ato kërkojnë certifikim dhe njohje pronësie nga kadastra, edhe pse 12 drejtorët e Zyrave të Pronave të emëruar në 7 vitet e fundit në Vlorë, nuk kanë pranuar t’i firmosin.

Dorëheqja e fundit brenda javës e drejtuesit të radhës dhe mbetja e Kadastrës së Vlorës pa drejtor, pa zv.drejtor dhe pa shefa sektorësh juridikë e hartografik, si dhe vështirësia për të gjetur drejtues të rinj, detyroi kryeministrin Rama, që krimin me pronat e bregdetit të Jugut, ta transferojë për ta “kopsitur” në Tiranë.

Dhe kështu, kur problemin nuk e zgjidhin vetë vlonjatët, as me presion politik ose dhunë të fortësh, e merr në dorë situatën “usta” Lamja.

Katër ditë më parë, ai vetë e konfirmoi këtë skemë, ndërkohë që tani ka nisur zbatimin, duke transferuar nga Kadastra e Vlorës drejt Tiranës, 1500 dosjet e para.

Pikërisht këto dosje janë prona që u përkasin individëve me fuqi e lidhje politike.

Burimet thanë për “Gazetaatdheu.com” se, dosjet, do shqyrtohen nga një grup pune “ekspertësh sekretë”, që ka përzgjedhur krye-drejtori Lame, mes tyre edhe dy kryebashkiakët Dritan Leli dhe Gjergji Goro.

Këta të fundit, si pjesë e stafit të “ekspertëve”, do hedhin firmën si drejtues të pushtetit lokal për zonat Vlorë-Himarë.

Prej 10 ditësh, Artan Lame, e ka nxjerrë jashtë loje edhe administrativisht Kadastrën e Vlorës, duke dërguar në zonën bregdetare 13 inspektorë të zyrave qendrore të Kadastrës, për gjoja ‘dëgjesa’ me banorët që kanë probleme pronash.

Fakti, që dosjet po degdisen ilegalisht e me shkelje ligji nga zyrat e Kadastrës së Vlorës në zyrat e Lames në Tiranë, tregon se qeveria po realizon krimin tjetër, atë të fshehjes së krimit që është bërë me pronat në bregdet./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit