Skandal me tamponet e COVID-19/ Në Tiranë plas matrapazllëku, mjeku i 'familjes' kërkon 100 mijë lekë të sjellë 127-ën

Skandal me tamponet e COVID-19/ Në Tiranë…

Në Shqipëri këto ditë po shtohen ndjeshëm numri i të infektuarve me COVID-19, por po ashtu edhe i viktimave nga ky virus.

Por tok me shtimin e të infektuarve dhe të atyre që kanë nevojë të marrin kujdesin shëndetësor, por rritet frikshëm edhe matrapazllëku nga ana e bluzave të bardha.

E themi këtë, jo sepse po kërkojmë të hedhim “baltë” mbi punën e mjekëve dhe infermierëve, e sidomos të atyre që luftojnë në vijën e parë, por sepse nisemi nga denoncimet konkrete të qytetarëve të rasteve të ndryshme.

Në numrin e redaksisë së “Gazetaatdheu.com” ka ardhur sot një denoncim nga ana e një qytetareje të Tiranës, e cila ka denoncuar faktin e korrupsionit që po bëhet me tamponin e testit për koronavirus.

Sipas qytetares që ka denoncuar këtë fakt, janë mjekët e lagjes në klinikat shtetërore, ata që u kërkojnë pacientëve të tyre pagesën nën dorë të një shume që varion nga 80-100 mijë lekë (të vjetra), për mundesimin e bërjes së tamponit.

Sipas denoncueses, në shumë institucione private ose shtetërore, punonjësve u është kërkuar bërja e tamponit në mënyrë private ose shtetërore, për të vijuar punën në ambiente me kolegët.

Por kur shumë qytetarë, sidomos ata me simptomat e gripit kërkojnë bërrjen e tamponit, shërbimi i 1270ës të Urgjencës Kombëtare, rrefuzon t’ua marrë në konsideratë kërkesën.

Në një pjesë të rasteve Urgjenca Kombëtare justifikohet me numrin e lartë të kërkesave dhe radhën e madhe, por në raste të tjera, të dyshuarit për COVID-19 thjesht refuzohen.

Në këtë pikë kanë nisur që të hyjnë në lojë mjekët e lagjeve, ose “mjekët e familjes”.

Sipas denoncimit të qytetares, janë këta të fundit që marrin nën dorë nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetër, për t’i dhënë rekomandimin një pacienti me simptoma, për te Urgjenca Kombëtare për bërjen e tamponit.

Sipas qytetares: “Janë mjekët e familjes ata që nëse i paguan, njoftojnë Urgjencën Kombëtare të të vijë në shtëpi, duke u dhënë adresën dhe referuar rastin”.

Ja denoncimi i plotë i qytetares në adresn e “Gazetaatdheu.com”:

Pershendetje, jam punojese ne nje banke private. Kam pasur disa shqetesime si pafuqi dhe temperature.

Jam paraqitur te mjeka e lagjes pasi dua te beje tamponin .Me tha qe ka shume kerkesa dhe qe nese duhet ta beje duhet ti paguaje nendore 80 mije leke qe te vijne.

Lagja Tirane e Re… Mjekja e familjes se qendres shendetesore nr.8.

Po behet biznes me kete lloj fatkeqesie …pak ankthi dhe sikleti per vete e familjaret po duhet te paguajme 80-100 mije leke se perndryshe rrezikojme edhe vendin e punes”.

Nga sa kemi mësuar, një pacienti që i merret tamponi në ambientet e banesën ku jeton dhe që dyshohet për koronavirus, u vjen përgjigja pas dy deri në tre ditësh.

Më pas ai mund të njoftojë vetë shërbimin 127 të Urgjencës Kombëtare, ku nëse gjendja e tij është e përkeqësuar, mund të merret me autoambulance nga shtëpia për te Spitali Infektiv ose “COVID-1”.

Nga ana tjetër, vetë drejtuesit e Urgjencës Kombëtare, nga ana e tyre janë shprehur zyrtarisht se ditët e fundit është shtuar si fluksi i rasteve me koronavirus, ashtu dhe numri i telefonatave në shërbimin 127.

Ata janë shprehur se e kanë të pamundur që të mbulojnë në kohë të gjitha rastet e referuara, me gjithë shtimin e kapaciteve të punonjësve dhe mjekëve dhe infermjerëve në turne.

E ndërsa rasti i mësipërm mund të jetë një rast i izoluar korrupsioni pasiv, u mbetet zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që ta hetojnë atë.

Por “Gazetaatdheu.com” fton qytetarët që të kenë kurajën dhe të denoncojnë raste të tilla, ku në një situatë fatkeqësie globale, një pjesë e madhe orvaten të përfitojnë në kurriz të qytetarëve që janë në rrezik jete./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit