Skandal me tenderët te Burgjet/ Agim Ismaili i jep 347 mln për blerje buke, firmës së dënuar për abuzime me...

Skandal me tenderët te Burgjet/ Agim Ismaili…

Edhe burgjet janë një “minierë” e qetë për të bëra para me fondet e buxhetit të shtetit.

Vetëm pak vite më parë, përkatësisht në muajin korrik 2016, nga Policia e Shtetit u arrestuan me urdhër të Prokurorisë “Për Krime të Rënda”, disa biznesmenë mes të cilëve edhe Shemsi Sinani, pronar i kompanisë “M.B Kurti” (sot “Sinani Trading”).

Arrestimi i tij u bë në lidhje me abuzime me tenderat e ushqimeve në burgje.

Bashkë me ta, u arrestuan gjithashtu edhe Artur Zoto, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, si dhe Iljaz Labi, me detyrë Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm.

Rreth dy vjet më pas nga ky arrestim, përkatësisht në muajin nëntor 2018, këta biznesmenë përfshirë edhe Shemsi Sinanin, u shpallën fajtorë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për veprën e “korrupsionit pasiv”.

Ata u dënuan me dy vjet burgim, por që u konvertuan në shërbim prove.

Ky vendim e bënte të pamundur për këta biznesmenë që të merrnin pjesë në tenderët publikë.

Pas këtij problemi me drejtësinë, biznesmenët në fjalë u angazhuan që të siguronin vazhdimësinë e bizneseve të tyre, duke përdorur trukun e kalimit të administrimit dhe të pronësisë, të kompanive të tyre, tek familjarët.

Në këtë logjikë, biznesmeni Shemsi Sinani, nëpërmjet ndryshimeve në QKB, realizoi kalimin e pronësisë së kompanisë së tij, tek fëmijët.

Aktualisht administrator dhe pronar i kompanisë “SINANI TRADING” SHPK, është me letra Ledion Sinani, i biri i Shemsiut.

Por me sa duket as arrestimi dhe as dënimi i dhënë nga gjykata për Shemsi Sinanin, nuk e ka penguar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, që t’i japë përsëri kompanisë së po këtij personi, një tender që kap vlerën e frikshme prej rreth 347 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Tenderi që mban numrin e referencës “REF-67475-07-30-2020”, është dhënë nëpërmjet një procedure me negocim.

Për të nuk është bërë shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, pra e thënë thjeshtë, pa garë fare.

Agim Ismaili, i ka dhënë kësaj kompanie direkt shifrën e mësipërme, gjoja për të blerë bukë për të burgosurit.

Themi kështu, pasi objekti i tenderit është “Blerje Buke për nevoja emergjente të DPB, për të dënuarit në IEVP-te”.

Pra rezulton se, befas të gjithë burgjeve të vendit u ka mbaruar e gjithë buka dhe të burgosurit kishin mbetur pa bukë.

Është tepër i paqartë dhe njëkohësisht i dyshimtë, fakti që si ka mundësi që artikulli bazë i ushqimit të të dënuarve, të mos planifikohet në kohë dhe të bëhet një tender urgjent për blerje buke.

Madje jo vetëm kaq, por ky tender të bëhet pa garë fare dhe për më tepër, t’i jepet një kompanie, pronari i së cilës, vetëm pak vjet më parë është arrestuar dhe dënuar nga gjykata, pikërisht për abuzime me tenderat e ushqimeve në burgje.

/Burimi: JOQ-Albania/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit