Skandal me tenderin e pastrimit të Librazhdit/ Kastriot Gurra i jep 'peshqesh' 1.4 mld lekë nipit të Sadri Abazit

Skandal me tenderin e pastrimit të Librazhdit/…

Bashkitë e vogla socialiste, janë “miniera ari” për deputetët e PS-së dhe miqtë e Rilindjes, të cilët zhvatin llokma të konsiderueshme me tendera fiktiv.

I tillë është edhe ky tender i dyshimtë organizuar nga Bashkia e Librazhdit.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference “REF-61912-06-18-2020”, raporton “JOQ-Albania”.

Kjo procedurë prokurimi ka për objekt “Shërbimi i Pastrimit dhe Menaxhimit të Mbetjeve Urbane në Bashkinë Librazhd” për një periudhë 52 mujore.

Fondi limit i tenderit ka qenë 119,565,169 lekë të reja pa TVSH, vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë Librazhd.

Duke hulumtuar procedurat publike, mësohet se në këtë tender ka marrë pjesë vetëm një konkurrues, përkatësisht bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alko Impex Generale Construction” shpk & “Alko Impex Construction” shpk.

Në të dyja kompanitë rezulton si administrator apo pronar shtetasi Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialit Sadri Abazi.

Me pak fjalë Bashkia e Librazhdit e drejtuar nga Kastriot Gurra i jep tenderin super të majmë për pastrimin e qytetit dy kompanive të cilat drejtohen nga nipi i një ish deputeti të Rilindjes.

Edhe në të kaluarën nipi i Sadri Abazit ka fituar mjaft tendera publikë, ku mjafton të përmendet se vetëm në 5 vitet e fundit nëpërmjet të dyja kompanive të përmendura më sipër, ka fituar rreth 21 milionë euro. Jo keq për një nip deputeti rilindas, apo jo?

Rezulton madje se Bashkia Librazhd është një ndër institucionet që i ka dhënë më shumë tendera, dhe sigurisht nuk mund të mos i jepte edhe tenderin e rradhës për pastrimin e qytetit.

Përveç faktit që të dy kompanitë fituese administrohen apo drejtohen nga i njëjti person, rezulton se në këtë tender nuk ka marrë pjesë asnjë kompani tjetër.

Gjithashtu vlera e ofruar nga kjo kompani shkon sa 99,35% e fondit limit, çka përbën dyshim të fortë për fitues të paracaktuar dhe për humbje të shkaktuara ndaj shtetit.

/Burimi: JOQ-Albania/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit