
Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania gjendjen skandaloze të një pallati të dëmtuar nga tërmeti në lagjjen nr.5 në Durrës.
Në foton e dërguar, shihet një grumbull i madh mbeturinash dhe ujë i ndotur që ka mbuluar të gjithë katin e parë të ndërtesës, duke krijuar një situatë alarmante për shëndetin publik.
Në foto shihen dhjetëra bidona plastike, kanaçe, qese mbeturinash dhe mbeturina të tjera të lundrojnë në ujë të zi dhe të ndotur, i cili ka mbuluar shkallët dhe hapësirat poshtë pallatit. Dëmtime në mure dhe shtylla mbajtëse gjithashtu janë të dukshme, duke e bërë vendin edhe më të rrezikshëm. Era e rëndë dhe ndotja po shkaktojnë shqetësim të madh për banorët e lagjes.
Më poshtë denoncimi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ! Shikoni në çfarë gjendje është lënë ky pallat i dëmtuar nga tërmeti në Durrës, lagjja 5, Rruga H. Myshketa. Bëjini thirrje Kryetares së Bashkisë Sako të lerë fushatën dy orë edhe të nisë punonjësit e Komunales, se nuk guxojmë dot të kalojmë nga era e pisllekut që po mbyt lagjen.”
JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Durrës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për pastrimin e këtij ambienti, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e banorëve.