Investime për fasadë në shkollën “Fadil Gurmani” Elbasan, pisllëk dhe pa kushte në brendësi

Investime për fasadë në shkollën “Fadil Gurmani”…

Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, një prind ka ngritur alarmin për gjendjen e brendshme të shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan të reklamuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ndonëse godina është rikonstruktuar nga jashtë nga Bashkia e Elbasanit, ambientet e brendshme janë në gjendje skandaloze. Bankat janë të amortizuara, ndërsa tualetet siç shihet në foto, janë jashtë çdo standardi higjieno-sanitar.

Prindi kërkon reagim urgjent nga Ministria e Arsimit me ministre Ogerta Manastirliun, Zyra Arsimore e Elbasanit dhe kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, të cilin e akuzon për neglizhencë dhe propagandë boshe. Ai shprehet se rikonstruksioni është bërë vetëm për fasadë, ndërsa kushtet reale që përballen fëmijët janë të mjerueshme dhe denoncohen vetëm nga prindërit që i përjetojnë përditë.

 

“Kam një lajm shumë të rëndësishëm dhe dua që ta bëni publik sa më shpejt, sepse nis dhe sezoni i ri shkollor. Jam prindi i një fëmije në shkollën “Fadil Gurmani” në Elbasan. Bashkia e qytetit ka rikonstruktuar shkollën me taksat tona, por bankat e klasave dhe banjot e shkollës janë totalisht katastrofë. Dua që këtë lajm ta shohë Ministria e Arsimit, Zyra Qendrore e Arsimit në Elbasan, dhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, që gjatë gjithë vitit fle gjumë sepse këta të Bashkisë e reklamojnë “mollën” vetëm nga jashtë, jo nga brenda. Kurse nga brenda e tregojmë ne  prindërit që kemi fëmijët aty. Kam besim shumë të plotë tek ju si portali më i fuqishëm në Shqipëri”, shkruan prindi i një nxënësi.

Në prag të hapjes së shkollave, prindërit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e kushteve bazë, si mobilimi i klasave dhe rehabilitimi i banjove.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit