Lumi Lana, një prej rrjedhave që përshkon zemrën e kryeqytetit, është shndërruar në një vatër ndotjeje ekstreme, duke paraqitur një rrezik të madh për shëndetin publik dhe mjedisin. Pamjet e fundit nga zona pranë Pallatit me Shigjeta tregojnë një ndotje alarmante ekologjike, ujëra të zeza, mbetje toksike, plastika, vajra makinash dhe madje edhe kafshë të ngordhura, të gjitha të derdhura pa asnjë filtrim në rrjedhën e Lanës.
Këto ujëra të ndotura përfundojnë në detin Adriatik pikërisht aty ku mijëra qytetarë dhe turistë bëjnë plazh çdo ditë, në një nga zonat më të promovuara nga fushatat e turizmit shqiptar. Por përtej propagandës, realiteti është alarmant: ujërat bregdetare janë të mbushura me substanca të rrezikshme, që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda tek ata që lahen në to.
“Prsh JOQ! Lumi Lana nga pallati me shigjeta. Imagjinojeni një ndotje e frikshme ekologjike, me ujëra të zeza, toksike helme, mbeturina plastike , kafshë të ngordhura. Këta ujëra derdhen në detin Adriatik aty ku lahen plazhistët, turizmi i cili promovohet fuqishëm por që është një gënjeshtër. Askush nuk duhet të bëjë plazh në detin Adriatik sepse do marrin sëmundje të frikshme. Vajrat e makinave të serviseve të Tiranës hidhen në lume Fondet për impiantet e pastrimit të ujërave të zeza dhe rehabilitimin e Lanës janë vjedhur në 35 vjet. Përmendet fondi 120mln euro i qeverisë Japoneze i cili u vodh plotësisht nga oligarkët. Shqipëria Europiane! Publikojeni ju lutem anonim! Faleminderit që je një zë i fuqishëm për padrejtësitë!” thotë një qytetar që denoncon këtë situatë për JOQ.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se fondet për rehabilitimin e Lanës dhe ndërtimin e impianteve të pastrimit të ujërave të zeza kanë ekzistuar. Denoncuesi përmend një fond prej 120 milionë eurosh nga qeveria japoneze, që supozohej të shërbente për ndërtimin e infrastrukturës moderne të trajtimit të ujërave të ndotura.
Sipas tij, ky fond është zhdukur në xhepat e oligarkëve dhe korrupsionit institucional. Ndërkohë, institucionet heshtin. Asnjë ndërhyrje, asnjë përgjegjësi. Ndërkohë që turizmi shqiptar shitet si histori suksesi në broshurat qeveritare, realiteti në terren është një tragjedi ekologjike në zhvillim.