Nuk ka kaluar shumë kohë nga publikimi i denoncimit të një qytetari, i cili gjeti një koloni insektesh brenda një pakoje orizi të blerë në Big Market, ndërsa një tjetër rast alarmant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.
Këtë herë, një qytetare tregon se ka blerë një djathë të paketuar të markës Erzeni, i cili, megjithëse rezultonte brenda afatit të skadencës, ishte i mbuluar thuajse i gjithi nga myku sapo u hap.
Rasti ngre edhe një herë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si ruhen dhe kontrollohen produktet ushqimore që përfundojnë në tavolinat e konsumatorëve. Një produkt i paketuar dhe brenda afatit nuk duhet në asnjë rrethanë të paraqitet në këtë gjendje, pasi përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve.
Denoncimet ndaj Big Market nuk janë më raste të izoluara. Prej muajsh, qytetarët i drejtohen vazhdimisht JOQ Albania me ankesa për produkte të dëmtuara, të mykura apo të kontaminuara, ndërsa shqetësimet duket se përsëriten pa asnjë reflektim.
Po aq shqetësues mbetet edhe mungesa e reagimit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me produkte që nuk duhet të ishin kurrë në shitje, institucioni që ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë ushqimore akuzohet se po mbyll sytë përballë denoncimeve të njëpasnjëshme.