
Më shumë se 256 mijë mjete në Shqipëri nuk kanë paguar taksat vjetore dhe të luksit deri në qershor 2025
Në të gjithë vendin, mbi 256,741 mjete rezultojnë me detyrime të papaguara, duke krijuar një borxh të ndjeshëm për financat publike. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), këto mjete nuk kanë shlyer taksat për përdorimin dhe luksin deri në mesin e vitit 2025.
Ky përbën një skandal për funksionimin e këtij institucioni, pasi është i paaftë të kryejë detyrat bazë, që përfshin mbledhjen e detyrimeve, dhe të garantojnë një proces normal funksionimi duke krijuar një listë të gjatë debitorësh
Qarku i Tiranës renditet në krye, me plot 100,453 mjete debitore, duke u ndjekur nga Durrësi me 35,153 dhe Shkodra me 17,881 mjete. Shifrat pasqyrojnë një situatë alarmante, ku pjesa më e madhe e borxhlinjve janë individë dhe jo biznese.
Sipas DPSHTRR, 84% e debitorëve janë qytetarë të zakonshëm, ndërsa 16% janë subjekte juridike, që e kanë anashkaluar pagesën e detyrimeve për mjetet që zotërojnë.
Përdoruesit që nuk kanë kryer pagesat në afat, nuk do të kenë akses në shërbime të rëndësishme, si: ndryshimi i pronësisë apo targave, kontrolli teknik dhe fizik i automjetit, lejet e qarkullimit, certifikatat ndërkombëtare si ADR e CEMT apo edhe çregjistrimi i mjetit.
Në fund, autoritetet rikujtojnë se pagesa në kohë shmang penalizimet dhe garanton vijimësinë e shërbimeve pa vonesa apo ndalesa administrative, por këto njoftime janë shumë pak për të thënë që institucioni po e kryen punën e tij me përgjegjshmëri dhe ashtu siç duhet.