Skandali 22 mln €: Rruga Qafa e Buallit-Martanesh dyfishon koston

Skandali 22 mln €: Rruga Qafa e…

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka përmbyllur procedurën e re të prokurimit publik për projektin “Plotësimi i punimeve në rrugën Qafa e Buallit – Martanesh”. Fitues i tenderit është shpallur sërish i njëjti konsorcium operatorësh ekonomikë, “BE – IS SH.P.K.”, “ERGI” dhe “VËLLEZËRIT HYSA”, të cilët morën kontratën me një ofertë prej 952,928,422 lekësh pa TVSH.

Ky aks rrugor prej 16.5 kilometrash ka për qëllim lidhjen dhe zhvillimin e zonës së Martaneshit, ndërsa afati i zbatimit për këtë fazë të dytë është caktuar 10 muaj.

Nga 11 në 22 milionë euro: Si u dyfishua fatura e rrugës

Vendimi për prokurimin e ri vjen pas kontratës së parë të nënshkruar në dhjetor të vitit 2023 për sistemimin dhe asfaltimin e këtij segmenti. Atëkohë, procedura u fitua nga po ky grup kompanish me një ofertë prej 947.6 milionë lekësh, me zotimin për ta përfunduar plotësisht rrugën brenda vitit 2025.

Megjithatë, pasi segmenti mbeti pjesërisht i papërfunduar, ARRSH hapi garën e dytë për “plotësimin e punimeve të mbetura”, veprim ky që e dyfishoi koston totale të projektit nga 11 milionë euro në rreth 22 milionë euro.

Detajet e tenderit dhe skualifikimet

Procedura e fundit e prokurimit kishte një fond limit prej 1.04 miliardë lekësh pa TVSH. Vlerësimi u bazua në një sistem me pikë (60 pikë për çmimin dhe 40 pikë për kriteret teknike si metodologjia, stafi, garancia dhe impakti mjedisor e social):

  • Fituesit (“BE – IS”, “ERGI”, “VËLLEZËRIT HYSA”): Grumbulluan gjithsej 275.40 pikë me ofertën prej 952.9 milionë lekësh.
  • “BAMI HOLDING”: U rendit e dytë me 271.80 pikë dhe një ofertë prej 989 milionë lekësh pa TVSH.
  • “ALBAVIA”: U skualifikua (oferta 1.02 miliardë lekë) për shkak të mungesës së dokumentacionit teknik dhe certifikatave ISO 9001:2015.
  • “ADIDAS – ONE”: U skualifikua pasi kishte dorëzuar vetëm preventivin e punimeve, pa dokumentet e tjera ligjore.
Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit