Skandali i dhunës te Çalik Holding, punëtori rrihet për vdekje pasi kërkoi rrogat e prapambetura

Skandali i dhunës te Çalik Holding, punëtori…

Truprojat e Çalik Holding rrahin për vdekje një minator që kërkonte rrogën e pashlyer para zyrave në Stamboll

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, pasi një punonjës i kompanisë Çalik Holding humbi jetën pas një rrahjeje të dhunshme nga truprojat e kompanisë. Viktima, Erol Egrek, 49 vjeç, ishte paraqitur para zyrave qëndrore të kompanisë në Stamboll për të kërkuar pagesat që i ishin vonuar prej kohësh.

Egrek kishte punuar për vite me radhë në një nga minierat në pronësi të Çalik Holding dhe kishte fituar një proces gjyqësor që detyronte kompaninë t’i shlyente pagesat. Por, pavarësisht vendimit të gjykatës, grupi Çalik kishte refuzuar të ekzekutonte detyrimin ligjor ndaj tij.

Në shenjë proteste, Egrek kishte hedhur një vazo me lule drejt ndërtesës së kompanisë dhe më pas kishte kërcënuar se do të vetëvritej me një armë që mbante me vete. Në atë moment, disa truproja të Çalik Holding ndërhynë dhe nisën ta godasin ashpër. Punonjësi përfundoi në spital ku më pas u konfirmua vdekja e tij.

Fillimisht, Çalik Holding mohoi çdo përfshirje në vdekjen e Egrek, duke e quajtur incidentin një akt vetëdëmtimi. Por vajza e viktimës publikoi pamje tronditëse në rrjetet sociale, ku duken disa truproja duke rrahur të atin me grushte dhe shkelma. “U bëj thirrje të gjithëve që kanë ndërgjegje. Mos lejoni të harrohet kjo mizori”, shkruajti ajo.

Publikimi i videove solli reagime të ashpra në mbarë vendin dhe nxiti protesta masive përpara selisë së Çalik Holding. Ish-kolegë të Egrek kërkuan drejtësi dhe fajësuan personalisht Ahmet Çalik si nxitës dhe përgjegjës kryesor për këtë ngjarje tragjike.

Aktualisht, autoritetet turke janë vënë nën presion për të nisur hetime të plota mbi këtë rast, ndërsa opinioni publik vazhdon të kërkojë ndëshkimin e autorëve dhe drejtësi për viktimën. Ndërkohë, Çalik Holding përballet me një krizë të thellë imazhi dhe një valë të paprecedentë reagimesh.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit